Erion Braçe konfirmon se objektivi për të qenë kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës është serioz dhe nuk ka asnjë hap pas.  

Përmes një reagimi në rrjetet sociale këtë të martë, deputeti socialist iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve të shumta që ka marrë ditët e fundit, ku shumë qytetarë e kanë pyetur nëse e ka seriozisht apo jo këtë ambicie.

Ai theksoi se nuk është nga ata politikanë që bëjnë deklarata për efekt dhe më pas tërhiqen.

“Nuk më ka ndodhur ndonjëherë në një proces të mëparshëm apo qëndrim timin të mëparshëm që të vijë ky fluks mesazhesh. Kam parë që ka një pyetje që përsëritet shpesh ‘ a e ke seriozisht apo po tallesh me njerëzit?’ Unë nuk tallem kurrë me njerëzit, se kam bërë kurrë dhe nuk ka gjasë që të ndodhë me mua. Asnjëherë! Po e kam seriozisht dhe do i shkoj deri në fund me ju bashkarisht. Nuk është ambicia ime personale, nuk është interesi im personal por mendoj që kemi një mundësi shumë të madhe për ta zhvilluar këtë qytet në një dimension të ri, përfshirës, dhe ku gjithësecili gjen jo thjesht veten dhe jetën e tij por të mirën e tij” tha Braçe

Vetëm pak ditë më parë, gjatë Asamblesë së njësisë nr. 5 në Tiranë, Braçe shpalli ambicien për të qenë kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, duke theksuar se nuk kërkon një post, por mundësinë për të punuar për qytetin.

Në zgjedhjet e majit të kaluar, ai u përfshi në listën e hapur për Tiranën vetëm pak muaj para votimit, dhe arriti të sigurojë 23.694 vota, duke u renditur i dyti më i votuar në kryeqytet dhe ndër më të votuarit në gjithë vendin.