Kandidimi i Erion Braçes si kryetar bashkie për Tiranën dhe fitorja e mundshme e tij duhet të konsistojë në luftë ndaj ndërtimit dhe lejeve të kullave. Ky është qëndrimi i Kreshnik Spahiut i cili thotë në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv se kjo histori duhet të marrë fund dhe i vetmi që mund ta realizojë, është pikërisht Braçe.

“Përplasja elektorale mendoj që do të jetë Erion Braçe dhe Alimehmeti. Nuk do të jenë Binaj dhe Manastirliu. Nëse Erion Braçe do të jetë kandidat që duket se do të ketë mbështetjen e PS, duhet me doemos t’i shpallë luftë mafies së ndërtimit. Vetëm Braçe mundet të realizojë një distancë mes këtyre bizneseve që menaxhojnë me para të zeza dhe të shpallë një vendim për mosdhënien e lejeve dhe kullave që kanë mbipopulluar Tiranën. Historia e kullave duhet të marrë fund në Tiranë. I vetmi që mundet të ushtrojë presion, të negociojë dhe të gjejë një të mesme është Erion Braçe, i cili deri më sot ka mbajtur diskursin kundër dhënies së lejeve të ndërtimit, kundër ndërtuesve dhe oligarkëve në pushtimin e territoreve”, tha Spahiu.

Ai theksoi se për afro më shumë se 1 vit, kryeqyteti është bërë i pabanueshëm dhe i pajetueshëm për shkak të arrestimit të Veliajt. Spahiu u shpreh i sigurt se kandidati socialist do të fitojë, por me një ‘kusht’.

“Erion Braçe është i vetmi kandidat që realisht e fiton Tiranën, por duhet ta fitojë me një vizion të ri, diskurs të ri”, u shpreh analisti.


Lajmi kryesor:

Spahiu: Ndërkombëtarët po investojnë në largimin e Berishës dhe zgjedhjen e një lideri të ri në PD