Nuk u betua kryetari i Komunës
Qeveria: Zgjedhje të reja në veri

Nuk u betua kryetari i Komunës<br />Qeveria: Zgjedhje të reja në veri
PRISHTINË - Qeveria e Kosovës ka vendosur që ta çojë edhe një herë veriun në zgjedhje.
 
Ajo e ka pranuar raportin nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal mbi mbarëvajtjen e inaugurimeve të organeve komunale në katër komunat e pjesës veriore të Kosovës, ku është bërë dhënia me sukses e betimeve nga kryetarët e komunave, përveç nga kryetari i komunës së Mitrovicës veriore, ku do të përsëriten zgjedhjet për kryetarin e komunës.
 
Përsëritja e zgjedhjeve, sipas Qeverisë do të bëhet ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe legjislacioni përkatës në fuqi.
 
Deklarata e plotë e Kryeministrisë së Kosovës:
 
“Qeveria e Republikës së Kosovës e ka pranuar sot raportin nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal mbi mbarëvajtjen e inaugurimeve të organeve komunale në katër komunat e pjesës veriore të Republikës së Kosovës, Mitrovicë e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të dala nga zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2013.
 
Gjithashtu, është bërë dhënia me sukses e betimeve nga kryetarët e komunave, përveç nga kryetari i zgjedhur i komunës së Mitrovicës veriore, i cili ka dështuar ta bëjë një gjë të tillë dhe në këtë komunë do të përsëriten zgjedhjet për kryetarin e komunës, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe legjislacioni përkatës në fuqi.
 
Inaugurimet e institucioneve lokale në këtë pjesë të vendit, janë rezultat i angazhimeve intensive të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila përmes udhëheqëses së zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, Zëvendëskryeministres Edita Tahiri, e cila ka mbajtur takime të shumta në Bruksel, duke bërë që kjo fazë e rëndësishme e funksionalizimit të organeve komunale të kryhet me sukses dhe në harmoni me Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me Marrëveshjen e Brukselit të datës 19 prill 2013.
 
Me këtë rast Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë në këtë proces Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë”, thuhet në deklaratën e qeverisë së Kosovës.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane