Kryetari demokrat i bashkisë së Pukës, Rrok Dodaj, ka sqaruar publikisht situatën pasi nuk u lejua në takimin e kryebashkiakëve socialistë me kryeministrin Rama duke e cilësuar si “keqkuptim teknik.”
Dodaj shkruan se njoftimi kundrejt tij kishte qenë një lapsus i organizatorëve sepse emri i tij nuk përfshihej në listën e ftesave. Ai thotë se organizatorët i kanë krijuar ndjesë dhe treguar gatishmëri që të hynte në takim, por ai është tërhequr.
“Për hir të transparencës dhe informimit të saktë të opinionit publik, dëshiroj të sqaroj një situatë të krijuar gjatë zhvillimit të një takimi të njoftuar për ditën e sotme me Kryeministrin.
Pas një njoftimi paraprak për pjesëmarrje, u paraqita pranë ambienteve ku do të mbahej takimi. Në hyrje u konstatua se emri im nuk figuronte në listën përfundimtare të pjesëmarrësve. Nga komunikimi i mëtejshëm rezultoi se bëhej fjalë për një lapsus nga ana e organizatorëve, pasi jo të gjithë kryetarët e bashkive kishin qenë të përfshirë në listën zyrtare të ftesave, ndër të cilët edhe unë.
Situata u sqarua menjëherë në mënyrë institucionale dhe nga ana e organizatorëve pati një ndjesë për këtë pasaktësi dhe keqkuptim të krijuar si pasojë e njoftimeve të mëparshme. Gjithashtu, nga ana e tyre u shpreh gatishmëria për të më mundësuar hyrjen në takim, por në mirëkuptim të plotë të rrethanave dhe duke respektuar organizimin e përcaktuar, vendosa të tërhiqem.
E gjithë situata u zhvillua në një frymë korrekte dhe mirëkuptuese, duke mbetur në kuadrin e një keqkuptimi teknik, pa asnjë element tjetër përtej kësaj.
Faleminderit për mirëkuptimin”, përmbyll Dodaj.
Lajmi kryesor:
Rama takim me kryebashkiakët, në fokus pastrimi e Paketa e Maleve! Demokrati i Pukës s’lejohet në takim: Më njoftuan gabimisht












