Nuk zbatoi pikat e kontratës së koncesionit për terminalin/ 'Kurum' dëbohet nga porti i Durrësit

Përfundon aventura e koncesionarit "Kurum" në portin detar të Durrësit. Kompania turke është larguar nga porti detar i Durrësit pasi humbi në gjykatë të drejtën për vijimin e kontratës për koncesionin  e terminalit të kontenierëve.

Prej dy ditësh përmbaruesit e shtetit ndodhen në terminalin e kontenierëve duke kryer procedurat të cilat konsistojnë në kalimin e të gjitha aseteve të këtij terminali në duart e Autoritetit Portual Durrës(APD).

Pasi të përfundojë kjo procedurë turqit e "Kurum"-it nuk do të kenë më lidhje me portin detar të Durrësit, edhe pse dje nga punonjësit e kësaj kompanie ka pasur një rezistencë për përmbaruesit, por puna vijon normalisht.

Divorci
Ka qenë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës ajo që vendosi të divorcohet me 'Kurum'-in. Për të arritur në këtë pikë kjo ministri e paditi në gjyq koncesionarin turk sepse ky nuk i ishte përmbajtur pikave të kontratës duke mos realizuar disa pika ku më kryesorja ishte mosrealizimi investimi.

Pas disa seancave gjyqësore Ministria e fitoi gjyqin me Kurum-in dhe në këto kushte ai do të largohet nga porti i Durrësit. Edhe pse shërbimi i përpunimit të kontenierëve në portin detar është një biznes fitimprurës, duket se Kurumit gjërat nuk i kanë shkuar mirë duke mos kryer investimet që ishin planifikuar në kontratë.

Historia
Historia e turqve në portin e Durrësit zë fill që në fillim të viteve 2000. Ata fillimisht ju qasën portit duke blerë nga polakët kantierin detar të riparimit të anijeve. Pas disa vitesh qëndrimi në kantier,për nevojat e zgjerimit të terminalit të trageteve,atyre ju propozua nga ana e Ministrisë së Transporteve të asaj kohe që të këmbenin kantierin detar me terminalin e kontenierëve i cili shtrihet në kalatën nr 6 dhe 7.

Turqit e pranuan një këmbim të tillë sepse ishte më fitimprurës si dhe i shërbente edhe për transportin e skrapit nga porti në Metalurgjikun e Elbasanit gjithashtu në pronësi të tyre. Volumi i punës në këtë terminal ka njohur rritje nga viti në vit sepse në lojë hynë edhe bizneset e Kosovës dhe Maqedonisë të cilët transportojnë mallra me konteinerë dhe porti i Durrësit është nyje e shkëlqyer tranziti.

Por duket se  bilancet financiare  nuk ishin ato që priteshin dhe turqit nuk realizuan dot pikat e kontratës së koncesionit përsa i përket investimeve që duhej të realizonin brenda perimetrit ku shtrihet ky terminal. Për këtë arsye ata e panë veten si palë në gjyq me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës e cila ishte nënshkruesja e këtij koncesioni për palën shqiptare.

Turqit e humbën këtë gjyq dhe po bëjnë gati valixhet që të largohen nga porti i Durrësit.

Perspektiva
Përpunimi i konteinerëve është një biznes shumë fitimprurës. Brenda vitit në këtë port përpunohen qindra mijëra konteinerë që vijnë e ikin në të 4 anët e botës. Pas largimit të turqve nga  porti cili do të jetë fati i përpunimit të konteinerëve? Ky shërbim do ti rikthehet si dikur APD do ti jepet me koncesion ndonjë kompanie private.

Burime nga APD sqarojnë se ende nuk ka ndonjë vendim parlamenti dhe qeverie për këtë shërbim. Në këto kushte, inventari i aseteve do ti kalojë APD dhe derisa të merret ndonjë vendim,ky shërbim do të menaxhohet prej tij.

Por në planet e zhvillimit të portit është parashikuar që një pjesë e përpunimit të anijeve të kalojë në Porto Romano dhe kalatat e portit tradicional të Durrësit të jenë në funksion të trageteve,kroçerave dhe jahteve.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbëri: 23/01/2020 12:17

    Tani ka radhen ndonji ”KURUM” i serbis të instalohet në Durrës...

    Përgjigju
  • Kafsha: 23/01/2020 12:00

    Ta marin italianët! Sytë nga Italia e tutje!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi