Qeveria synon të zgjidhë çështjen e numrit të lartë të të paraburgosurve në sistemin penitenciar të Shqipërisë duke zbatuar edhe masa alternative në bazë të rekomandimeve të Këshillit të Europës. Një prej këtyre masave është mbikëqyrja elektronike.
Lajmin e konfirmoi ministri i drejtësisë Besfort Lamallari gjatë një takimi të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
“Mbikëqyrja elektronike nuk ka ekzistuar në Shqipëri për kaq vite, megjithatë i kam përcjellë porosi Shërbimit të Provës që të prezantojë një projekt të detajuar edhe nga ana financiare në mënyrë që bëhen të mundur zbatimi i rekomandimeve të ekspertëve të Këshillit të Europës për uljen e masave të arrestit me burg dhe arrestit në shtëpi” tha Lamallari.
Sa i përket amnistisë Penale, Lamallari tha se janë 15 mijë familje shqiptare që përfitojnë prej saj dhe për këtë arsye kërkoi mbështetjen e kuvendit që nisma të futet në hullitë e komisioneve parlamentare që të vihet në zbatim sa më parë.
Sipas ministrit, këto masa lidhen me një qasje më të gjerë për ndryshim të politikës penale në vend. Ai foli për një “mendësi ndryshe” që duhet ta udhëheqë Shqipërinë drejt vitit 2030, duke paralajmëruar rishikim të plotë të Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale.
“Kur flasim për Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës, po bëhet një punë e rëndësishme falë bashkëpunimit me qeverinë italiane, franceze dhe hollandeze, dhe së shpejti presim komentete e ekspertëve. Është një punë masive, që përfshin rishikimin e të gjithë kuadrit ligjor penal dhe procedurial , ku krahas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale që në vetvete krahas nevojës për përmirësim dhe qartësim, kjo edhe nga komentet e drejta të ekspertëve të Këshillit të Europës të cilët kanë parë jo vetëm ndryshimet e nevojshme në kodin e procedurës penale por edhe në kodin penal janë të nevojshme, duke treguar kështu një mendësi ndryshe në politikën penale që duhet të udhëheqë Shqipërinë në vitin 2030”, tha Lamallari.
Në të njëjtën linjë, Lamallari tha se më 12 shkurt është prezantuar masterplani i godinave të drejtësisë, që do të financohet nga buxheti i shtetit dhe që konsiderohet si nisma më e madhe infrastrukturore për administratën e gjyqësorit. Po ashtu, po përgatitet edhe një masterplan për burgjet. Përveç burgut të grave në zonën e Ali Demit, po shihet mundësia që të përfshihen edhe 302 dhe 313 për të krijuar kushte më të përshtatshme.
Lajmi kryesor:
Grupi i PS/ Rama 'lumë' kritikash drejtësisë: Nuk e prekim pavarësinë! Ja 7 çështjet për të cilat do të ndërhyjmë, marrim ‘ok’ nga KE (VIDEO)









