Nusja metaforike e Ilirian
Zhupës na fton sërish

Nusja metaforike e Ilirian<br />Zhupës na fton sërish
Poezia e bukur e Ilirian Zhupës vjen gjithmonë në kohë, ngado të niset e kurdo të niset, sepse ajo vjen me të veçantën e saj, me emocione të bukura e të fuqishme, me avrën e prushit të vatrës, me pikën e lotit mbi gurin e pragut apo në Qafën e Botës, vjen me vlagën e tokës mëmë, me hiret e vendlindjes, me mërmërimat e barit dhe të vdekurve, me hallet e njerëzve të thjeshtë e fisnikë, vjen me peshën e gurit të themeleve.

Ajo nuk mund të zërë radhën, nuk i mbahet fryma, nuk i çirret zëri, nuk i venitet bukuria, por e ruan tharmin e një bukurie  të përjetshme, sepse ka pirë në krojet dhe burimet  magjike të shpirtit të popullit, ka ndier fjalën e bukur, mendimin e mençur, ninullën e ëmbël, humorin e shëndetshëm, urimin e udhës, ka njohur hilet e kësaj bote, skenat dhe prapaskenat, ka dëgjuar klithmat e fatkeqit, ka mëshiruar, ka falur, ka heshtur…

Nusen e tij metaforike, (kur u bë dhe përurimi i librit) e pritën dasmorë  nga të gjitha trevat e vendit; nga Tepelena dhe Gjirokastra, nga Lezha dhe Tropoja, nga Shkodra dhe Vlora. Midis të ardhurve ishin: Petrit Ruka dhe Sadik Bejko, Xhevahir Spahiu dhe Nasho Jorgaqi, Preç  Zogaj dhe Martin Cukalla, Hamit Aliaj ,etj.

Poezitë e Ilirianit mbartin mesazhe të qarta, sa intime aq dhe universale. Autori shpërfaq marrëdhënie polivalente: estetike, metrike, etike, racionale, metafizke, shpreh raporte me paradoksin, raporte me frymën, me materjen.

Poezitë e Ilirian Zhupës janë të sinqerta si “Fjalët e  mia për ty”, në poezinë me të njëjtin titull, “Përgatitje për një udhim të largët”, ”Kohë e drunjtë” etj. Kritikët dhe estetët shpesh mundohen të na hutojnë me stilemat dhe grupet e fjalëve që përzgjedhin për të karakterizuar poezitë, por ato, në shumicën e rasteve e tregojnë vetë ç’janë e si funksionojnë. Këtë mësim të vyer na jep edhe poezia e qartë dhe pa ekuivoke e Ilirian Zhupës.

Ajo vjen e përkorë, e lirshme, si qarkullimi i gjakut dhe ujit në natyrë, si frymëmarrja, si dashuria, jetike, pa metafora të sforcuara, pa terminologji të tepruar, pa zhargone, por me fjalë të shëndetshme si buka dhe vera, me fjalët e befta dhe të bukura si mjelmat. Metaforat, enumeracionet, reticensat  e suspansi ndjekin një rend plot harmni:
“Në mëngjes është vesë./Më tej afsh, avull dhe re./Në mbremje është festë,/Gjëmim dhe rrufe.

Natën është ëndërr,/Zjarr edhe shi…/…dhe kështu, përsëri…(“Dashuria” fq. 89)
Iliriani zotëron një fjalor të pasur me të gjitha nuancimet e fjalëve dhe stilemave. Autori di ta përdorë me elegance këtë pasuri, di t’i gjejë vendin e duhur fjalës, di të përcjellë situata emocionale të guximshme. Kjo pasuri i jep autorit mundësinë e një strukturimi shembullor të motiveve. Këtu gjejmë një larmi ngazëlluese strukturash.

Ndërsa poezia e shkurtër “Rrenjët” ka vlerën e një mesazhi biblik dhe ndërtohet me parametrat e një mesazhi, poezia “Kalimtar i rastësishëm” ndërtohet sipas parimit të ngjyrimeve në muzikë, acelerantos dhe rallentantos. Vargjet nisin të gjata  dhe pas çdo vargu rrëzojnë nga një  fjalë gjersa vargu i fundit përfaqësohet me një fjalë të vetme.

Nderimi për fjalën te Ilirian Zhupa  është virtyt. Sa i kursyer në fjalë, po sa  i gjallë e sa elegant tingëllon distiku:
    “Një shpend që këlthet nëpër erë, nuk është shpend, është njeri./ A s’jemi të gjithë nga pak në klithmën dhe vrullin e tij?!”

Shpesh poezitë e Ilirianit vijnë me ngarkesë figurative në dy –tri plane, si metafora, si paradokse dhe si tablo:
“Kam pare duar / Që përpiqen të mbajnë të dashurit e tyre, /Zbardhen dhe i shtrengojnë fort për supesh… Të dashurit ikin!/ Ato, këputen…”

Realiteti që rrok dhe përpunon në magjen e vet Iliriani, nuk të ledhaton e nuk të verbon të mos shohësh prapa një realiteti një tjetër realitet kanosës:
“Në stola ulen ata që dashurohen, /Mbi stola hipin ata që varen. /Një jetë të tërë, dashuria ime,/
Ulet dhe hipën mbi stola”

Heroi lirik në këto poezi, herë si dre, madje dhe si ujk, herë në zjarr dhe herë në  cikmë, bën këngën e durimit:
“ Jam pemë e kaftë, e alltë, e gjelbër, /Përballë me zjarrin, me sëpatën, erën”

Poezi si “Burri ka dalë nga zjarri”, “Puthja”, “Posta”, ”Takat”, Sy të këqij”, ”Vjeshtës kur fushës rri një plep”, “Engjëlli që fle në fushë” “Shumë qenkam rritur”, “Do heq dorë nga vargjet” etj., të ngjallin sugjerime, të përcaktojnë standarde të reja poetike.

Që të  flasësh gjatë e gjerë për poezinë e Ilirian Zhupës, për vlerat dhe hapësirat e saj, të duhet  shumë më tepër se një parakalim i shpejtë, se konsideratat e përgjithshme për një prurje të re. Këtij libri do të na duhet t’i kthehemi dhe herë të tjera.

Tempulli poetik i Ilirian Zhupës do të na ftojë sërish e sërish. Veçanërisht një kapitull më vete do të na duhej për realizimin e poemës së bukur, “Qielli im”. Aty ke se ç’gjen në çdo kohë. Interesante janë raportet e njeriut me shpirtin, ritmi i poemës, kompozicioni dhe gjithë elementet e tjera që përbëjnë të terën e poemës.
I urojmë autorit: “Suksese të përzemërta!”
Ilirian Zhupa

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Scholz: Siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk mund të merren si të mirëqena

Scholz: Siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk mund të merren si të mirëqena