Në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të 2023 për aferën “Partizani”, Sali Berisha ka shkelur për herë të pestë vendimin e GJKKO.

Ndonëse e ka të ndaluar që të flasë me persona të tjerë përveç atyre me të cilët bashkëjeton, Berisha edhe këtë mbrëmje ka dalë në dritaren e shtëpisë ku po zbaton masën e sigurisë dhe me një letër në dorë ka nisur të “recitojë” para atyre pak militantëve të Rithemelimit që i ka mbledhur poshtë pallatit në rrugën Mustafa Matohiti.

Kjo është mbrëmja e katërt që Berisha flet nga dritarja duke dhënë shfaqje për militantët e Rithemelimit, por ndërkohë duke sfiduar hapur drejtësinë, ndërsa herën e parë vendimin e shkeli në një komunikim me gazetën Bild.

Po të premten, në shkelje flagrante të vendimit të gjykatës, u publikuan pamje se në banesën e Berishës futen edhe persona të tjerë, siç është një djalë që shfaqet në dritare duke rregulluar kabujt teknikë për foninë e mikrofonit me të cilin ish-kryeministri komunikin me militantët nga dritarja.

Për herë të parë nga vendosja e arrestit në shtëpi më 30 dhjetor, policia zhvilloi të premten një kontroll blic në shtëpinë e tij për të parë nëse ish-Kryeministri po e zbaton masën e sigurisë. Pas këtij kontrolli oficerët e policisë do të përgatisin një raport për SPAK, ku pritet të përfshijnë fjalimet e Berishës nga dritarja, në shkelje të vendimit të gjykatës.