Një shqiptar është bërë pjesë e historive më prekëse pas zjarrit që përfshiu Psathën, në perëndim të Atikës në Greqi. Sokoli, së bashku me tre banorë vendas, Andreas, Aris dhe Aleksandros, u fut mes flakëve për të mbrojtur shtëpitë e zonës, duke mos hezituar aspak
Pasditen e 3 gushtit, era ndryshoi drejtim dhe zjarri zbriti nga pylli dhe ullishtet drejt banesave. Edhe pse policia kishte urdhëruar evakuimin, katër burrat u kthyen pasi panë se flakët po afroheshin me shtëpitë.
Ndonëse nuk ishin zjarrfikës me profesion dhe s'kishin pajisje profesionale, ata morën zorrët e ujit dhe çdo mjet që kishin në dispozicion për të luftuar zjarrin. Tymi kishte mbuluar zonën, ndërsa në disa pika flakët arrinin deri në 30 metra lartësi.
Për orë të tëra, ata luftuan për të mbrojtur banesat e lagjes dhe arritën të shpëtonin disa prej tyre.
Pas përballjes me flakët, Sokoli u rrëzua i rraskapitur. Me lot në sy, ai kujtoi edhe vitet e para të emigrimit në Greqi, rreth 30 vite më parë.
“Erdhëm të lodhur dhe të uritur. Në fillim vendasit nuk na donin. Na përzinin. Sot, bashkë me miqtë e mi, luftuam si një ekip për të shpëtuar shtëpitë e fshatit”, rrëfeu ai.
Sot, tre dekada pas mbërritjes në Greqi, Sokoli rrezikoi jetën për të mbrojtur komunitetin ku jeton.
Gazeta “Ethnos” shkruan se për të, zjarri nuk shkatërroi vetëm banesa dhe prona.
“Pylli është shtëpia jonë e parë. Pastaj ndërtuam gjithçka tjetër”, tha ai.
Historia e Sokolit dhe tre miqve të tij është një prej rrëfimeve njerëzore të zjarrit në Psatha: katër banorë të zakonshëm, pa trajnim dhe pajisje profesionale, që në vend të largoheshin, u kthyen për të luftuar flakët dhe për të mbrojtur lagjen e tyre.











Komente
Komento