Zbulimi i 17 armëvë të prodhimit modern në Papër të Elbasanit, ka sjellë marrjen të pandehur të njërit prej oficerëve që dyshohet se dekonspiroi aksionin e policisë kriminale në Elbasan. Nën akuzën nga prokuroria e Elbasanit është vënë oficeri Eduart Hasani, ndërkohë çështja penale për oficerin tjetër Edvin Gjyli, është veçuar dhe vijojnë hetimet.

Hasani mësohet se akuzohet për veprën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Nxjerjes së sekretit hetimor”, pasi dyshohet se ka qënë ai njeriu që ka shpërndarë tek persona të tretë dhe më pas në media, fotografitë e kapjes së arsenalit të madh të armëve në një magazinë karburanti në Papër. Kapjen e 17 armëve policia e ka mbajtur sekrete, por dalja në media e fotografive, ka bërë që prokuroria e Elbasanit në vijim të hetimeve të kryera të marë në pyetje dhe një gazetare.

17 armët e prodhimit modern janë zbuluar në muajin korrik 2019, pas një informacioni të mbërritur në policinë e Elbasanit, se një person ende i paidentifikuar, kishte takuar afër një pike karburanti, njërin nga vëllezërit Baho, Klevi Baho, para se atyre ti bëhej atentat me armë.

Pikërisht ky informacion ka sjellë kontrollin e disa banesave në fshatin Papër të Elbasanit. Situata në 1 korrik në këtë zonë ka qënë shumë e tensionuar, pasi gjatë natës dy vëllezërve Klevi dhe Aldo Baho, u ishte bërë atentat me 24 plumba kallashnikovi, ku njëri prej tyre Klevi mbeti i vrarë dhe tjetri i plagosur rëndë.

Kontrollin e banesave që policia kishte selektuar u është besuar repartit special RENEA në Tiranë, ku efektivët e këtij reparti gjatë kontrollit në ambjentet e karburantit “Eldio Petrol”, krejt rastësisht kanë zbuluar një bazë armatimi, që besohet se i përket një grupi kriminal të fuqishëm në Elbasan. Për këtë arsenal të madh armësh u shpall në kërkim dhe më pas u vetëdorëzuar Ilir Beko, pronari i karburantit “Eldio Petrol”, i cili momentalisht vijon të jetë nën hetim.

Armët e sekuestuara në Papër

Eduart Hasani