Raportimi i drejtuesit të SPAK, Klodian Braho, në komisionet parlamentare është shoqëruar me debate mbi rezultatet e institucionit gjatë vitit 2025, pavarësinë e Prokurorisë së Posaçme dhe ecurinë e hetimeve për çështjet e profilit të lartë.
I ftuar në "Frontline" me Marsela Karapançon në Report Tv, gazetari Elton Qyno u shpreh se sulmet politike ndaj SPAK-ut kanë qenë të vazhdueshme dhe, sipas tij, do të vijojnë për aq kohë sa institucioni heton zyrtarë të lartë dhe figura politike. Ai vlerësoi se gjatë drejtimit të Klodian Brahos janë zhvilluar hetime të rëndësishme kundër grupeve të krimit të organizuar, duke përmendur goditjen e disa organizatave kriminale, sekuestrimin e miliona eurove dhe arrestimin e personave të njohur të botës së krimit.
"Sulmet politike kanë qenë dhe do të jenë sa kohë që SPAK heton zyrtarë të lartë. Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar hetime të rëndësishme kundër grupeve të krimit të organizuar",- tha Qyno.
Qyno përmendi gjithashtu edhe hetimet për korrupsionin, duke u ndalur te dosja ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku për fshehje pasurie. Sipas tij, në vjeshtë pritet të konkretizohet një kërkesë e dytë e SPAK-ut drejtuar Kuvendit për autorizimin e arrestimit të saj.
"Kam përshtypjen se në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit do të konkretizohet një kërkesë e dytë e SPAK-ut për autorizimin e arrestimit të zonjës Balluku",- tha Qyno.
Nga ana tjetër, Faik Basha theksoi se opinioni publik shpesh krijon pritshmëri që institucionet të përgjigjen mbi bazën e perceptimeve, ndërsa SPAK është i detyruar të veprojë vetëm mbi bazën e provave dhe ligjit. Ai nënvizoi se refuzimi i prokurorëve për t'iu përgjigjur pyetjeve mbi çështjet në hetim lidhet me respektimin e sekretit hetimor dhe jo me mungesën e transparencës.
"Institucionet nuk veprojnë mbi bazën e opinionit publik, por mbi bazën e ligjit dhe provave. Për çështjet në hetim nuk mund të japin përgjigje për shkak të sekretit hetimor:,- tha Basha.
Ndërkohë, ish-drejtuesi i policisë Dritan Prençi shprehu kritika ndaj drejtimit të SPAK-ut, duke pretenduar se kërkesa e dytë ndaj Kuvendit për çështjen Balluku është zvarritur për shkak të ndërhyrjeve politike. Ai ngriti dyshime se në disa dosje të krimit të organizuar nuk janë goditur të gjithë personat e përfshirë, duke përmendur biznesmenë dhe politikanë që, sipas tij, duhet të hetohen njëkohësisht.
Sipas Prençit, goditja selektive e personave të përfshirë krijon dyshime për standarde të ndryshme në hetime, ndërsa theksoi se lidhjet mes politikës, biznesit dhe trafikut të drogës duhet të hetohen në tërësi.
Ish-prokurori Ervin Karanxha vlerësoi se kreu i SPAK-ut ka respektuar kufijtë ligjorë gjatë raportimit në Kuvend, duke mos komentuar çështjet që janë ende nën hetim. Ai theksoi se një prokuror nuk mund të flasë për prova apo dëshmitarë në dosje të hapura dhe se raportimi duhet të fokusohet te rezultatet e përfunduara.
"Një prokuror nuk mund të komentojë çështjet që janë ende nën hetim. Pozitive është që drejtuesi i SPAK-ut theksoi se procedimet penale duhet të mbështeten mbi prova dhe jo mbi perceptime",- tha Karanxha.
Komente





