'O britmë e arnuar me sqepa pëllumbash', poezi nga Balil Gjini

'O britmë e arnuar me sqepa pëllumbash', poezi nga Balil Gjini

Poeti dhe shkrimtari i njohur Balil Gjini vjen me një rubrikë poetike pa titull në Suplementin e së dielës “Rilindasi” në “Shqiptarja.com”. Poezitë e tij shquhen për metaforat dhe simbolikën e mprehtë, duke iu afruar figurave mitologjike, por jo me kuptimin e kahershëm. Poezitë e Balil Gjinit përfshijnë tashmë të gjithë skeptrin e nje jete të ndryshuar, plot drama, dhimbje, deformim, harresë. Por dramën e jetës poeti kërkon ta zgjojë përmes një poetike të ngjeshur,provokuese të heshtjes dhe shpresëndjellëse.  

 

Gjarpri i larmë në katin e tetë.

Kulloti, kulloti, të gjorat bletë!

Lugje  ligjesh dhe magje magjish

Mpiksu e bukur me gjakun e dhisë!

Mënde qengjin në gji të pasthirrmave

Bëji gjilmitër fijet e shirave

 

O britmë e arnuar me sqepa pëllumbash

Fjalë e dyllosur me gjithfarë vulash

     

Djep ishte o-ja dhe u-ja greminë

Nga poret tona kur mbinë filizë

 

Gjarpri i larmë në katin e tetë.

Kulloti, kulloti, të gjorat bletë!

2 shtator 2018

2.

Ububu, o buf, ububu!...

Pështymën përroi, nëma në dru!

O buf i verbër  me pendla të bardha

Ç'panë sytë që t'u bënë gërmadha?

Le të nisë vallja,  magjia e bardhë,

shtërpia shterpë nga shtëpia të dalë.

 

O buf i verbër me zërin gjithë arna

Gjej rrënjë salepi si foshnja të vrara

Të bëjmë tym shqope me flakë stërralli

shqipja e zezë nga shqota të dali

Të lindë ylberi dhe retë lehona

T'i shohim tek bëjnë si vajza kokona.
 

Harrimi haram. Kakërdhokët e bardhë

Janë mitra, a motra perdesh ndër dramë?

Me vezë të zeza dhe pështymë dallëndysheje

T'i ujdisim me radhë dyert e klithmave.

Vjen zëri që thotë: verbëri do të vejë

Gjer skeptrin e shëmtisë mola ta brejë!...

8 shtator 2018

3

Lumenjtë e frikës

Derdhen në turbinat e zemrës

Dhe prodhojnë dritë të zezë.

I shoh hipur mbi këto skela shprese.

Nga humusi i imagjinatës

Zgjatin qafat lulet e verbra.

E kotë:

Gjithë dekoratat i takojnë të parës: baltës!..

9 mars 2018

4

Shkretia e vetmisë me rërë të zezë

Ky struc ankthi drejt  ç'gëmushe po vete?

Klithma lypte puplat e një zogu pushverdhë

të futej gabimisht në turbinë të urrejtjes.

 

Frika e virgjër që të buronte poreve

Vinte erë kulloshtër dhe leshra të palara.

Në rrugën nga fëmija tek prindi  prore

Veç mjegullat e Makbethit janë shtatzana.

5

Vërtitet gjëja e dyshimit gjithë plisa

Lugat  i bardhë, shtëllungë pa ligj.

Është maj. Këta thekë janë thika

Që duan të bëjnë pestil një pistil.

 

Sekse lulesh nga degët gjithë ujë

Penise e vagina të bëra krejt xurxull.

Vështrimi im ringjallet shushunjë

Në gjolin e syve me ujra të turbull.

 

Këto lule kanatash: kunatat e tua

më çojnë larg, tek e ëmla Lilitë...

Në avlëmëndin e hamendjeve gjënë e dyshuar

E futke shtëllungë e nxjerrke qilim...

6  Qorrsokaku

Cohën e zezë të frikës e bëra rripa-rripa

fenerit të mërzisë ia vura fitila.

Po kali i instiktit prapë hingëllika

në këtë qorrsosak me saksi e karafila.

Pa shihi, pa shihi kokrrat e shegëve:

Bengje rropullishqyer me puplat gjithë gjak.

S'është shënja e paqes ai ylber mes degëve

por kordelja që kërkon fyti për lak.

Në këtë qorrsokak me saksi e karafila

si qerpikë të trishtë pikojnë strehët e shtëpive;

Ai s'është miniera e dëshpërimit me florinj gjithë lila

Por zorra e përbindshit që na gëlltiti të dyve.

2 mars - 16 shtator 2017

 7

-Një krimb i bardhë po hante mollën nga brenda: krrëp,

  krrëp, krrëp! ...Historia do të tirrej në furkën e dhëmbëve

të tij. Më vonë, kur u rrit, e graduan dhe e bënë hoxhë

fshati.

-Po Zoti, Zoti, ç'bënte në këtë kohë?

-Kishte blerë syze me numër shtatë dhe gërsheti i Evës

iu duk si gjarpër që i fliste tek veshi

 28 dhjetor 2018

8

 

Kurora sarkastike e ovales së gojës,

Zmalt thikash tek klithmat pa tanga

Dy mijë vjet Krishti mbi kryqin lodër,

Miliona vjet merimanga.

Ky inat i verbër që më del poreve -

gjallesë që lyp me turinj kushedi ç'thimtha.

Sa herë në altare e vërteta prore

është flijuar për këllëfët e bukur të thikave

E qeshura jote mbi bedena sigurie

Veshur domethënie që jetojnë veç në shumës.

Po fjalët në trotuarin midis vdiqën urie

e tash janë figura vizatuar me shkumës.

 

peshk i habisë në ujra bisedash

me kreshtën huazuar... nga cila epikë?

Këto shkumë  bregut të jenë dantella

apo vetë deti është epileptik?...

12 shtator 2017

 9

 

Kafshatë më kafshatë kafsha në kashtë

Po hante shurrjesën nga kishte dalë vetë.

Ky trup pa mish, kjo bërthamë e thatë,

Në ç'plasë shkëmbi do kërkojë jetë?

 

Diejt e moshës i thanë lëngjet e trupit

Dhe lanë aty koriçkat e thara të dheut.

Kërkon lulen e kuqe pa mua, o raca e turpit?

më sokëllin kjo masë amorfe prej plehu

 

Dhe enët e gjakut si të jenë litarë

i ndjej tek më presin në mishra  e tule.

Zot, kur më bëre... s'të vajti mëndja: më parë

ta shoshitje dheun nga farërat e luleve?

Ky kazan mishi ku distilohen mërzitë

më ka përcaktuar këtë mut fati:

të kërkoj gotën ku gjerbi verën Krishti

dhe jo atë ku piu helmin Sokrati.

 

Si skllav ta mbart gjer në fund këtë baltë

a të hidhem në Etnën e Hiçit gjithë llavë të zezë?

Kafshatë më kafshatë kafsha në kashtë

po ha shurriesën nga  ka dalë vetë.

21 shkurt 2017

10

Kjo dëborë, ky pambuk dhëmshurie

Mbi botë si mbi plagë bie e heshtur

Mbi plinta psherëtimash mbështetur kjo jetë

Tundet e troshitet nga erërat e gënjeshtrës

 

Ti s'i sheh dot këto imazhe spitali

në oborrin e kujtesës si çarçafë të bardhë

Le të shpurritet në hira pasionesh harabeli i mallit

S'ka shiringë a lutje që mund ta ringjallë.

 

Shkretia e indiferencës me bohçe të pambuku

Po aq mizore sa bota gjithë puthje e pështyma.

Fshikëza  e vjetër e heshtjes është skuta

Ku lëmojmë hiçin me smeralde e lima

 

Ta shërojë njeriun dhe botën gjithë plagë

Ky pambuk bore s 'mjafton kurrësesi.

Zoti e shndërron botën në vezë të bardhë

Mos nxjerrë prej andej një tjetër njeri.

3 mars 2017

11

Ndaleni!

Ku shkon kjo anije lamtumire

Me zogj të ngordhur në vela?!...

Ah !!!...

Shkopinjtë e pikëçuditëseve

Çajnë gollovezhgart e vezëve

Në çerdhet e ndrojtura të habisë

(Por të vedhën e kanë thithur me shiringë

Kushedi ç'lejlekë trishtimi...)

12

Uloke qenë fjalët  në kohën që të desha

(rënkimet ecnin mbi paterica, a majën e thonjve.)

Ylberëve prej tmerrit të shenjtë iu dridhej mjekra

dhe shkrumbrat e tyre binin mbi bishtrat e pallonjve.

 

Në kohën kur kafshërisht të kafshoja gjërat e hirshme

(dhe mishin e bardhë ta ndrysja si brumët në magje),

mështekna djersinte dhe donte të hingëllinte

Por s'arrinte dot të bëhej zebër afrikane...

 4 prill 2017

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Blerina Bala merr drejtimin e Bashkisë së Himarës! Bashkëshorti këshilltar ‘bojkoton’ votimin! Votat që opozita bashkoi me PS

Blerina Bala merr drejtimin e Bashkisë së Himarës! Bashkëshorti këshilltar ‘bojkoton’ votimin! Votat që opozita bashkoi me PS