UASHINGTON - Presidenti i SHBA, Barack Obama, ka mirëpritur marrëveshjen ndërmjet vendit të tij dhe Rusisë. Marrëveshja e arritur do të çojë në shkatërrimin ose largimin e të gjitha armëve kimike që gjenden në Siri deri në mes të vitit 2014.

Por një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se SHBA pret nga Siria të mbajë premtimet e dhëna publikisht.

Struktura e dokumentit përcakton që Siria duhet të japë me detaje të gjitha vendndodhjet dhe numrin e armëve kimike që disponon brenda një jave. Nëse ata nuk do të bashkëpunojnë, marrëveshja mund të imponohet nga një rezolutë e OKB-së.

Kina, Franca, OKB-ja dhe NATO-ja, janë shprehur të kënaqur për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Damasku.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, presidenti Obama u shpreh se marrëveshja SHBA-Rusi përfaqëson një hap të rëndësishëm dhe konkret përpara qëllimit të lëvizjes së armëve kimike të Sirisë nën kontrollin ndërkombëtar. Kështu më pas ato mund të shkatërrohen.

Pavarësisht kësaj, presidenti paralajmëroi se megjithëse SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me Rusinë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar, OKB-në e vende të tjera për të siguruar se procesi i shkatërrimit ose largimit të armëve kimike të verifikohet, nëse regjimi i Assad nuk do t’i bindet strukturës së marrëveshjes, atëherë SHBA do të ishte gati për të reaguar.

Pentagoni e mbështeti presidentin në fjalët e tij duke thënë se Amerika ishte ende në gatishmëri për sulme ushtarake.
 
Redaksia online
(en/ac/shqiptarja.com)