Presidenti amerikan Barak Obama ka mbështetur të drejtën izraelite për tu vetëmbrojtur, por paralajmëroi se SHBA është kundër përshkallëzimit të konfliktit në Gaza.

Duke folur për deklaratat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu një ditë më parë, se Izraeli ka nisur ofensivën tokësore ndaj Hamasit, ai theksoi mbështetjen e tij për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten kundër militantëve palestinezë. Por ai tha se ishte "thellësisht i shqetësuar" për humbjet e civilëve, me numrin e viktimave palestinezë që tashmë ka arritur mbi 300.

Pesëmbëdhjetë palestinezë janë raportuar të vrarë në dy incidente mëngjesin e sotëm, duke përfshirë edhe një familje prej tetë pjesëtarësh. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon do të mbërrijë për të ndërmjetësuar gjetjen e një zgjidhje mes Izraelit dhe Hamasit. 

Siç mësohet nga mediat ndërkombëtare, me mbështetjen e tankeve, avionëve dhe anijeve ushtria izraelite ka goditur rreth 200 objektiva të terroristëve që nga dita e enjte, pëfshirë dhe 20 tunele që përdoren për të hyrë në Izrael për të transportuar armë. Izraeli është akuzuar se po kryen krime lufte dhe po shkel të drejtat e njeriut për popullin palestinez. Në këtë konkluzion ka arritur Këshilli i Sigurimit në një mbledhje të posaçme mbi situatën në Gaza. OKB deklaroi se numri i njerzve që kërkojnë strehim në Gaza është dyfishuar, ndërsa numri i të vdekurve mendohet të ketë kaluar shifrën e 300-të në vetëm dy javë luftime. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)