/ATSH-AFP/ - Presidenti amerikan, Barack Obama theksoi sot se SHBA-ja, që po negocion me Iranin për të ardhmen e programit bërthamor, do të qëndrojë vigjilente përballë Iranit, influenca në rritje e të cilit në rajon ka shqetësuar monarkitë e Gjirit Persik.
"Vendet në rajon kanë arsye për të qenë shumë të shqetësuar me aktivitetet e Iranit, veçanërisht për mbështetjen e grupeve të dhunshme në brendësi të kufijve të tjerë", theksoi Obama në një intevistë të publikuar në faqen në internet të të përditshmes saudite "Asharq Al-Awsat".
Kjo intervistë u publikua një ditë para një sërë takimesh, sot në Shtëpinë e Bardhë dhe nesër në residencën presidenciale të Camp David, mes presidentit amerikan, Obama dhe drejtuesve të vendeve të Gjirit Persik, me përjashtim të mbretit Salmane, të Arabisë Saudite.
"Irani është qartësisht i angazhuar në sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese në rajon", nënvizoi Obama duke përmendur Sirinë, Libanin dhe Jemenin dhe duke shtuar se këto takime mund të jenë rasti për të bashkëpunuar ngushtë për t'iu përgjigjur.
Presidenti amerikan mbështetet në këtë konstatim për të mbrojtur negociatat e ndërmarra me Teheranin për programin bërthamor.
"Ne mund ta imagjinojmë se sa provokues mund të ishte Irani nëse do të dispononte armë bërthamore", nënvizoi ai.
"Kjo është arsyeja pse marrëveshja që ne dëshirojmë të arrijmë me Iranin është kaq e rëndësishme, duke penguar Iranin të pajiset me bombë bërthamore fshijmë një prej kërcënimeve kryesore për sigurinë në këtë rajon", theksoi ai.