Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) mori pjesë në seminarin e nivelit të lartë të zhvilluar në Ambasadën Britanike në Tiranë, i fokusuar në sigurinë ekonomike, investimet dhe prokurimin publik, me pjesëmarrjen e ekspertëve të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Pjesëmarrja e OBP-së në këtë aktivitet përbën një vlerësim të drejtpërdrejtë për rolin dhe besueshmërinë e ndërtuar nga institucioni në menaxhimin e procedurave të prokurimit publik, përfshirë edhe ato me fonde ndërkombëtare. Ky bashkëpunim konfirmon se prokurimi publik sot nuk është më thjesht një funksion administrativ, por një instrument i rëndësishëm për garantimin e sigurisë ekonomike, menaxhimin e risqeve në sektorë kyç dhe forcimin e transparencës dhe integritetit institucional.
Prania e Administratores së OBP, znj. Arlinda Pogaj, e shoqëruar nga drejtuesja e drejtorisë teknike, znj. Arjeta Mustafa, në këtë seminar me ekspertët e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar vjen në një moment kur Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka konsoliduar më tej rolin e tij në sistemin e prokurimit publik.
Gjatë një periudhe prej 23 muajsh, që nga 25 prilli 2024, OBP ka publikuar rreth 1100 procedura prokurimi për 222 institucione publike, duke përfshirë administratën qendrore, agjencitë e varësisë, si dhe autoritete në sektorë të rëndësishëm si arsimi, shëndetësia dhe siguria.
Ky tregues reflekton jo vetëm zgjerimin e shërbimeve të OBP-së, por edhe rritjen e besimit të institucioneve publike ndaj këtij modeli të përqendruar të prokurimit, i cili synon rritjen e efikasitetit, standardizimit dhe transparencës në përdorimin e fondeve publike.
Në të njëjtën kohë, gjithnjë e më shumë institucione, përfshirë bashkitë dhe strukturat e tyre të varësisë, po mbështeten në katalogët dhe kriteret e standardizuara të përgatitura nga OBP për zhvillimin e procedurave të prokurimit. Kjo qasje kontribuon në unifikimin e standardeve, përmirësimin e cilësisë së dokumenteve të tenderit dhe krijimin e proceseve më të qarta, të krahasueshme dhe më efikase.
Pjesëmarrja në seminarin e Ambasadës Britanike është një tjetër dëshmi e pozicionimit të OBP-së si një aktor kyç në reformimin dhe modernizimin e prokurimit publik në Shqipëri.
OBP mbetet i përkushtuar për të vijuar këtë rrugë, duke forcuar integritetin institucional, duke përmirësuar vazhdimisht standardet dhe duke ndërtuar partneritete të reja që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe mirëqeverisjen.
Komente









