OBSH do të vendosë rregulla për mjekësinë popullore

OBSH do të vendosë rregulla për mjekësinë popullore

OBSH

Prej mijëra vjetësh mjekësia tradicionale ka qenë pjesë përbërëse e sistemit të kujdesit shëndetësor në mbarë botën. Për shkak të bindjeve të thella ose për shkak të mungesës së medikamenteve të tjera, 80 përqind e popullsisë së botës përdorin sot në një mënyrë ose një tjetër mjekësinë tradicionale.

Aq sa të ndryshme janë sëmundjet dhe lëngimet, aq të ndryshme janë edhe metodat e shërimit të mjekësisë tradicionale, me përzierje erëzash, akupunkturë, masazhe dhe shumë të tjera.

Për herë të parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i kushtoi tani mjekësisë tradicionale një takim botëror, të organizuar së bashku me qeverinë indiane, e cila kryeson këtë vit grupin e G-20. Takimi u zhvillua në kuadër të konferencës së ministrave të shëndetësisë së G-20, më 17 dhe 18 gusht 2023, në Gujarat.

Botët përplasen me njëra-tjetrën

Përkrahësit dhe kundërshtarët e mjekësisë tradicionale u vunë përballë njeri-tjetrit, të papajtuar. Prandaj, në kuadër të njoftimit të takimit, OBSH thotë se mjekësia tradicionale përfaqësohet edhe tek shkenca moderne. Sipas të dhënave të OBSH-së, rreth 40 përqind e të gjitha medikamenteve që kanë marrë lejen e prodhimit, bazohen tek produktet natyrore. Zbulimi i aspirinës për shembull është bazuar tek recetat e përdorimit të lëvores së pemës së shelgut. Kërkimet e bëra për artemisinin, që përdoret kundër malarjes, për të cilat u dha Çmimi Nobel në vitin 2015, filluan me studimin e teksteve të vjetra të mjekësisë kineze.

Por për shumë nga metodat e përdorura mungon dëshmia për efektin që ato kanë. Megjithatë kërkesat e kinezëve për pjesën shtazore të Mjekësisë Tradicionale Kineze, janë aq të mëdha saqë lloje të caktuara kafshësh si tigër, rinocerontë, kal deti dhe pangoline (zvarranikë që e kanë lëkurën si lëvozhga e pishës) rrezikohen nga zhdukja.

Ka vite që Kina blen për qindra milionë dollarë gomerë nga e gjithë bota, sepse nga kockat e gomerëve dhe lëkura e tyre fitohet xhelatina Ejiao, e cila ndalon hemoragjinë e gjakut dhe lufton kollën dhe kancerin. Dëshmi për efektin e vërtetë të këtyre preparateve nuk ka. Prandaj skepticizmi me të cilën mjekët dhe studiuesit e arsimuar në perëndim shohin praktikat e mjekësisë tradicionale kineze, është i konsiderueshëm.

Cili është synimi i takimit botëror?

Organizata Botërore e Shëndetësisë e përcakton Mjekësinë Tradicionale si "Njohuri, aftësi dhe metoda që bazohen në imagjinatën, besimin dhe përvojën e banorëve vendas nga kultura të ndryshme, që përdoren për trajtimin dhe parandalimin e sëmundjeve.” Një emërtim i turbullt ky.

Aktualisht, Mjekësia Tradicionale përdoret nga 170 vende anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilët kanë kërkuar dëshmi dhe të dhëna që mund të shërbejnë si bazë për të marrë vendime politike për masat, normat dhe rregullat që sigurojnë përdorimin e sigurt, të duhur dhe të pakushtueshëm të Mjekësisë Tradicionale.

Prandaj takimi i parë botëror nuk bëri bashkë vetëm aktorët e ndryshëm të sektorit të Mjekësisë Tradicionale, por kërkoi edhe vendosjen e standardeve për praktikat dhe produktet e mjekësisë tradicionale, si dhe krijimin e një baze të besueshme dëshmish për politikën. Kështu kërkohet të shihet nëse ekzistojnë devijime të qarta midis ndihmës së kërkuar dhe asaj të dhënë faktikisht, nga metodat e ndryshme alternative të shërimit.

A ekziston vetëm besimi se një metodë shërimi ka efekt, apo mund të dëshmohet vërtet efekti që ka?

Përveç kësaj u diskutua si mund të përdoret teknologjia moderne si Inteligjenca Artificiale dhe Big Data edhe tek Mjekësia Tradicionale.

India si qendër e Mjekësisë Tradicionale

Nuk është rastësi që takimi i parë botëror i OBSH-së për Mjekësinë Tradicionale u zhvillua në Indi. Përshembull Ayurveda, që në sanskritisht do të thotë "Dijet e jetës” është Mjekësia Popullore, që ka dy mijë vjet që përdoret në Azinë Jugore, duke qenë kështu një nga sistemet më të vjetra natyropatike të njerëzimit. Në Indi mjekësia alternative është aq e rëndësishme saqë ekziston një ministri AYUSH, për ayuvedan, yogën, natyropatinë, unanin, siddham dhe homopatinë.

Si reagim ndaj interesit në rritje në mbarë botën, Organizata Botërore e Shëndetësisë ngriti në mars të 2022 në Jamnagar të Indisë, Qendrën Globale të OBSH për Mjekësinë Tradicionale, e cila do të bëjë bashkë dijet e vjetra dhe shkencën moderne të shëndetit dhe mirëqënies së njeriut dhe planetit. Qeveria konservatoro-nacionaliste e Indisë e ndihmoi qendrën me 250 milionë dollarë (230 milionë euro). "Qendra pritet të jetë motor për inovacionet për  krijimin e një axhende për dëshmitë, të dhënat dhe qëndrueshmërinë e Mjekësisë Tradicionale,” thotë kryetari i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Skepticizëm dhe kufizim në financimin e kërkimeve shkencore

Vëzhgimi i saktë i metodave të shërimit të zhvilluara me shekuj të tërë, kontrolli i besueshmërisë së tyre dhe zhvillimi i studimeve klinike në raste dyshimi, është me rëndësi, thotë Georg Rüschemeyer nga Cochrane, një rrjet ndërkombëtar që merret me rishikimet shkencore, Reviews, që prodhojnë evidenca për një çështje konkrete mjekësore dhe bazën për të marrë vendimet nga sistemi i shëndetësisë.

Megjithatë, Rüschemeyer thotë për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa, se krahas shembujve të përmendur nga OBSH për aspirinën dhe artemisin, me siguri mund të gjenden shembuj të shumtë gjatë të cilave proceset tradicionale dalin se nuk kanë efekt ose janë madje të dëmshme po t'i shohësh me saktësi. "Sipas përvojës time personale tek Cochrane, unë do të thoja se nuk kam pasur shumë raste rishikimesh, ku evidencat për një proces tradicional të jenë vërtetë bindëse,” thotë Rüschemeyer.

Por kjo ka të bëjë edhe me faktin se për disa metoda tradicionale shërimi deri tani ka pasur pak studime dhe shpesh janë bërë studime të këqija, kështu që nuk mund të bëhet vërtetimi ose të hidhet poshtë përdorimi i tyre. Është e vështirë të marrësh vendimin nëse duhen dhënë para të shumta për të bërë studimin nëse një metodë ia vlen apo jo. Takimi botëror i OBSH për Mjekësinë Tradicionale mund të ndihmojë për marrjen e këtyre vendimeve./DW

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Moti i keq/ Lezha përfshihet nga rrebeshet e shiut me erëra të forta! Vështirësohet qarkullimi i mjeteve në qytet

Moti i keq/ Lezha përfshihet nga rrebeshet e shiut me erëra të forta! Vështirësohet qarkullimi i mjeteve në qytet