Lajmi që SHBA, kanë autorizuar  përdorimin e plazmës konvaleshente për trajtimin e të infektuarve me Covid-19, ka ngjallur shqetësim tek OBSH, raporton BBC.  OBSH, është treguar tejet i kujdesshëm  duke e përshkruar atë si një trajtim eksperimental. Ata deklarojnë se duhen marrë në konsideratë edhe efektet anësorë të cilat mund të variojnë nga të lehta në të rënda.

Soumya Swaminathan, përgjegjësja e grupit të shkencëtareve të OBSH-së u shpreh se "ka `një numër të lartë provash klinike të cilat po bëhen në mbarë botën, në lidhje me efektshmërinë e plazmës konvaleshentë, krahasuar me kujdesin standard.

Vetëm disa prej tyre kanë raportuar rezultate pozitive dhe kjo shënon një besueshmëri të ulët për suksesin e saj. Pacientët të cilët po hasin vështirësi për të luftuar Covid-19, shpresojnë të sigurojnë mbrojtje nga transfuzionet e plazmës së personave të cilët e kanë kaluar më parë Covid-19.

Plazma Konvaleshente është përdorur më parë në trajtimin e shumë sëmundjeve, përfshirë Ebolën. Përveç shqetësimeve të OBSH-së edhe një studim i publikuar nga MB, ka arritur në përfundimin se është akoma e paqartë nëse trajtimi me plazmë ndikon pozitivisht apo jo në trajtimin e të sëmurëve me Covid-19.