OBSH mbështet vaksinën e parë kundër malaries për fëmijët afrikanë

OBSH mbështet vaksinën e parë kundër malaries për fëmijët afrikanë

Disa nëna duke pritur që fëmijët e tyre të sëmurë të marrin vaksina kundër malaries në një spital në Malawi, prill 2019

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë të mërkurën se vetëm vaksina e miratuar kundër malaries duhet të shpërndahet te fëmijët afrikanë, gjë që mund të shënojë avancim të madh kundër sëmundjes, e cila vret qindra mijëra persona brenda vitit. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka rekomanduar vaksinën Mosquirix – e cila është krijuar nga kompania britanike e ilaçeve, GlaxoSmithKline.

Prej vitit 2019, 2.3 milionë doza të kësaj vaksine u janë dhënë foshnjave në Gana, Keni dhe Malavi, përmes një programi të zgjeruar, i cili është koordinuar nga OBSH-ja.

Shumica e personave që vret malaria janë nën moshën pesëvjeçare. Ky program është rezultat i një dekade të testimeve klinike në shtatë shtete afrikane.

“Kjo është vaksinë e krijuar në Afrikë nga shkencëtarët afrikanë dhe ne jemi shumë krenarë”, ka thënë udhëheqësi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Përdorimi i kësaj vaksine si shtesë ndaj mjeteve tjera ekzistuese për të parandaluar malarien, mund të shpëtojë mijëra jetë njerëzish çdo vit”, ka thënë ai, duke iu referuar masave kundër-malaries sikurse rrjetat e shtretërve dhe substancat që vrasin mushkonjat, të cilat e transmetojnë sëmundjen.

Vaksina Mosquirix ka përbërës një dru të quajtur Quillay, i cili rritet në Kili.

Malaria është shumë më vdekjeprurëse sesa COVID-19 - sëmundja që përhapet nga koronavirusi - në Afrikë.

Më 2019, ajo ka lënë të vdekur mbi 386,000 afrikanë, sipas OBSH-së, në krahasim me 212,000 vdekje të konfirmuara me COVID-19 në 18 muajt e fundit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se 94 për qind e rasteve të malaries dhe vdekjeve raportohen në Afrikë, kontinent me 1.3 miliard banorë.

Sëmundja shkaktohet nga parazitët që transmetohen te njerëzit nga pickimi i mushkonjave të infektuara.

Simptomat përfshijnë temperaturë, të vjella dhe mundim.

Efekti i vaksinës për parandalim të sëmurjes së rëndë nga malaria te fëmijët është vetëm rreth 30 për qind, mirëpo është vaksina e vetme e miratuar.

Agjencia e Bashkimit Evropian për ilaçe e ka miratuar atë më 2015, duke thënë se përfitimet tejkalojnë rreziqet.

“Kështu e luftojmë malarien, duke shtresuar mjetet që kemi njërën mbi tjetrën”, ka thënë Ashley Birkett, i cili udhëheq punën për vaksinë të malaries në organizatën joqeveritare Path, e cila ka financuar punën për krijim të vaksinës me kompaninë GlaxoSmithKline.

Një tjetër vaksinë kundër malaries e quajtur R21/Matrix-M, e cila është zhvilluar nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit në Britani, ka shfaqur 77 për qind efekt në një studim të kryer për një vit me 450 fëmijë në Burkina Faso, kanë thënë studiuesit në muajin prill.

Kjo vaksinë është duke u studiuar ende.

Kompania GlaxoSmithKline (GSK) e ka mirëpritur rekomandimin e OBSH-së.

“Ky është vendim i shumëpritur, për të ringjallur luftën kundër malaries në këtë rajon, në kohën kur përparimi për ta kontrolluar sëmundjen ka ngecur”, ka thënë Thomas Breuer, zyrtar i lartë shëndetësor në GSK.

Sfida e financimit

Rekomandimi është bërë i ditur në Gjenevë nga zyrtarë të lartë të OBSH-së për malarie dhe imunizim.

Ekspertët kanë thënë se sfidë tani do të jetë mobilizimi i financimit për prodhim dhe shpërndarje të vaksinës në disa prej vendeve më të varfra në botë.

GSK është zotuar për prodhim të 15 milionë dozave të vaksinës Mosquirix çdo ditë, deri më 2028.

Një studim i tregut global, që është kryer nga OBSH-ja, ka parashikuar se kërkesa për vaksinë të malaries do të shkojë nga 50 deri në 100 milionë doza në vit deri më 2030, nëse shpërndahet në zonat me shkallë të lartë të përhapjes së sëmundjes.

Sezoni i reshjeve është edhe sezonë e shfaqjes së malaries, pikturë nga William Daniels

Aleanca për vaksina, GAVI, partneritet global publiko-privat, do të konsiderojë në muajin dhjetor nëse dhe si mund të financojë programin e vaksinimit.

“Siç e kemi parë nga vaksina për COVID-19, kur ka vullnet politik, ka fonde të mjaftueshme në dispozicion për të siguruar se vaksinat shpërndahen në shkallën e nevojshme”, ka thënë Kate O’Brien, drejtore e Departamentit të OBSH-së për Imunizim, Vaksina dhe Biologji.

Një burim i afërt me planet për zhvillim të vaksinës ka thënë se çmimi për doza nuk është përcaktuar ende, mirëpo do të konfirmohet pas vendimit të GAVI-it për financim.

Vendimi i OBSH-së ka pasur kuptim personal për mjeken Rose Jalong'o, specialiste për vaksina në Ministrinë e Shëndetësisë në Kenia.

“Kam vuajtur nga malaria si fëmijë dhe gjatë praktikës si dhe studimeve, kam qenë në spitale të fëmijëve që kanë qenë të sëmurë rëndë me malarie, të cilët kanë pasur nevojë për trasfuzion të gjakut dhe fatkeqësisht disa kanë vdekur”, ka thënë ajo.

“Është sëmundje me të cilën jam rritur dhe është shumë emocionuese për mua që të shoh diçka të tillë në jetën time”.

/ Evropaelirë

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen