Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, iu përgjigj ofertës së kryeminisrit Albin Kurti, i cili kërkoi nga PDK që të paktën gjysma e deputetëve të saj të marrin pjesë në seancën për kandidatin për president, Bekim Sejdiu, duke thënë se mund të votojnë edhe kundër tij.
Në këmbim, Kurti garantoi se 62 deputetë do të jenë të enjten në Kuvend për votimin në lexim të dytë për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale.
Hamza tha në një konferencë për media se marrëveshjen për Bekim Sejdiun si kandidat për President, Kurti s’e ka bërë me PDK-në.
“Marrëveshja për zotin Sejdiu nuk është marrëveshje me PDK-në. Është marrëveshje me një subjekt tjetër politik. Dhe i patë lajmet, që veç është hajt të flasim, të shesim mjegull”, tha Hamza.
Hamza tha se për Sjediun s’ka “vërejtje personale, politike”, por shtoi se ajo “është marrëveshje jashtë tavolinës së PDK-së”.
Duke iu përgjigjur deklaratave të Kurtit që kërkoi gjysmën e votave të PDK-së në Kuvend, Hamza tha se “nuk shkon kështu”.
“Atëherë edhe unë po t’i kërkoj ty 29. Silli në sallë, qysh të donë le të votojnë. Por nuk shkon kështu”, tha Hamza.
Lajmi kryesor:
'Votojmë kreun e shtetit sonte, Specialen të enjten!', Kurti ofertë PDK-së: Garantoj 62 deputetë! Pa president nuk mund t’i ndihmojmë ish krerët e UÇK-së në Apel! Sejdiu: Jam tërhequr nga gara










