TIRANE- Ledio Ferzaj, oficeri i Policisë Gjyqësore që sipas Idai Dines, babait të Klaudio Dines, ka liruar në muajin korrik 2013 Dritan Demiraj, personin që vrau në Itali, Lidia Nusdorfin dhe Silvio Mannina, pohon se nuk ka liruar ai Dritan Demiraj dhe se me këtë person nuk ka asnjë njohje. Ferzaj, momentalisht i pezulluar përkohësisht për shkak të humbjes së një pistolete që ishte provë materiale në një proces gjyqësor, tregon se Dritan Demiraj është shoqëruar në ambientet e komisariatit nr.2 në korrikun e 2013 dhe se aty është marrë në pyetje prej tij. “Është mbajtur 12 orë në komisariat dhe pasi e kam pyetur, kam deleguar materialet hetimore për akuzën e “Plagosjes së lehtë me dashje”, pasi personi i dëmtuar kishte një të çarë në ballë dhe ishte i gjakosur. Pasi ka përfunduar orari i shoqërimit, Demiraj është lënë i lirë jo vetëm me firmën time, por dhe me tre firma të tjera, mes të cilave dhe shefit të komisariatit nr.2”, pohon oficeri Ferzaj. Në një interevistë për “Shqiptarja.com”, Ferzaj tregon të plotë të vërtetën e shoqërimit të Dritan Demiraj, vrasësit të dyfishtë në Itali.

Kur e keni dëgjuar për herë të parë emrin e Dritan Demiraj?
Këtë emër e kam dëgjuar në muajin korrik 2013, pas një denoncimi të bërë për keqtrajtim. Ka qënë një histori intime që kishte sjellë dhe konfliktin mes autorit dhe të dëmtuarit. Demiraj, është kapur në orët e mesnatës dhe unë kam qënë oficeri që e kam marrë në pyetje.

Para se ta merrnit në pyetje, në ambientet e komisariatit keni pasur ndonjë komunikim me të?
E kanë sjellë në zyrën time për ta pyetur. Në këtë moment më ka kërkuar të pinte një cigare, pasi ishte i tronditur. I thashë që nuk lejohet. Më tej ka parë në murin e zyrës sime disa fotografi boksi, ku më ka pyetur se edhe ai ishte marrë me boks disa vite më parë. Nga ana tjetër dhe unë i pohova se isha marrë me boks në rininë time dhe se e kam pasion këtë sport. Më tej kam bërë marrjen në pyetje dhe të nesërmen kam referuar dosjen në prokurori për “Plagosje të lehtë me dashje” dhe jo “Dhunë në familje”, siç e ka kualifikuar prokuroria. Është plotësuar 12 orëshi dhe me miratimin e tre personave ky njeri është lënë i lire. Për këtë pjesë unë jam i pastër si kristali, pasi s’kam pas asnjë kontak me Demiraj më tej. Ata që e lanë të ikë nga Shqipëria le ta mbajnë përgjegjësinë. Lidhur me këtë ngjarje jam pyetur dhe nga SHKB-ja. Ndërsa për sa i përket ngjarjes së kanosjes me armë që Demiraj i ka bërë Dines në 31 dhjetor 2013, unë s’mund të flas pasi nuk jam oficeri që kam ndjekur çështjen.

Si qëndron e vërteta e pezullimit tuaj?
Pezullimi im nuk ka asnjë lidhje me Dritan Demiraj, por ka të bëjë për humbjen e një pistolete, ku sapo kam ndjerë mungesën e saj në zyrën time, të cilën unë e kam ndarë me persona të tjerë, kam kërkuar nga eprorët e mi të kryhen verifikimet.Unë kam argumentat e mia për këtë pjesë dhe do i deklaroj tjetër vend.

Shkrimi u publikua sot 3 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)