OKB, Daçiç: Mos njihni Kosovën
Thaçi: Shtetësia e paprekshme

OKB, Daçiç: Mos njihni Kosovën <br />Thaçi: Shtetësia e paprekshme
WASHINGTON - Nisi sot rreth orës 16:00 seanca për Kosovën në Këshillin e Sigurimit për diskutimin e raportit të Ban Ki- Moon për Kosovën. Të pranishëm në seancë janë kryeministrat e të dy vendeve, Hashim Thaç i Kosovës dhe Ivica Daçiç i Serbisë.

Kryeministri serb, Ivica Daçiç bëri thirrje publikisht për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa shtoi se nuk duhet të cënohet integriteti territorial i Serbisë.

Daçiç tha se zgjidhja e situatës me Kosovën është prioritet por megjithatë tha ai, "marrëveshja duhet të jetë reciproke dhe jo e imponuar".

Ai akuzoi qeverinë e Kosovës se është bërë pengesë në zhvillimin e dialogut mes dy vendeve.

“BE të qëndrojnë neutrale për Kosovën”, - deklaroi kryeministri serb., ndërsa vijoi duke thënë se "nuk ka tolerancë ndaj besimit tonë fetar".

Sipas tij ka kërcënime reale për jetën e serbëve në Kosovë.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se statusi i Kosovës është zgjidhur më 17 shkurt të vitit 2008 dhe se ajo është shembull i shtetndërtimit. Sipas Thaçit pothuajse gjysma e shteteve të OKB e ka njohur Kosovën dhe se “presim ta bëjnë edhe të tjerët”. Pavarësia është fakt juridik e politik, tha Kryeministri i Kosovës gjatë fjalës që mbajti në Këshillin e Sigurimit.

"Statusi i Kosovës është zgjidhur me 17 shkurt 2008 një herë e përgjithmonë. Është fakt që nga shkurti i vitit 2008 Kosova ka forcuar institucionet. Jam i nderuar t’ju informoj për procesin e fundit për t’i dhënë fund mbikëqyrjes së pavarësisë”, tha Thaçi.

Thaç para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kryeministri tha se qeveria e Kosovës është e përkushtuar për dialogun, por në asnjë moment dhe asnjë rrethanë nuk vihet në diskutim shtetësia.

FJALIMI I KRYEMINISTRIT TE KOSOVES HASHIM THACI NE KS TE OKB

Është kënaqësi për mua t'ju drejtohem sot në lidhje me zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës. Më lejoni të filloj duke falënderuar Sekretarin e Përgjithshëm, z Ban Ki Moon, për përpjekjet e tij të vazhdueshme për paqen dhe progresin në Kosovë dhe në Ballkan.
Vizita e tij e parë në Republikën e Kosovës muajin e fundit riafirmoi vlerat tona të përbashkëta, interesin reciprok dhe përpjekjet e përbashkëta drejt një Kosovë prosperuese.
Sekretari i Përgjithshëm ishte në gjendje për të parë gjatë vizitës së tij, se shteti i Kosovës, vendi im është ndër shembujt më të suksesshëm të shtet- ndërtimit në kuadër të misioneve të ndryshme të paqes në pjesë të ndryshme të botës gjatë dekadave të fundit.

Prandaj, më lejoni të them që në fillim, se Kombet e Bashkuara dhe Kosova duhet të jenë krenare për këto arritje të rëndësishme.
Vendosmëria jonë dhe mbështetja e pamasë e bashkësisë ndërkombëtare kanë prodhuar një shtet modern dhe të qëndrueshëm me qëllimin kryesor të integrimit në institucionet euro-atlantike.

Statusi i Kosovës është zgjidhur njëherë e përgjithmonë më 17 shkurt 2008.
Më lejoni t'iu informoj se unë do të fokusohem në çështjet e mëposhtme me rëndësi në lidhje me konsolidimin e shtetit të Kosovës: Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë ndërkombëtare, gjendja në komunat veriore, dialogu teknik mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe perspektivën e Kosovës në integrimin evropian.

1. Konsolidimi i shtetësisë

Është një fakt që, nga shkurti i vitit 2008, Kosova ka ndërtuar një shtet koheziv dhe ka forcuar institucionet shumetnike dhe demokratike.
Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, unë jam i nderuar t’iu informoj për progresin e fundit në kuadër të procesit të shtet-ndërtimit si rezultat i vendimit historik nga ana e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për t'i dhënë fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Pesë vite më parë Kosova shpalli pavarësinë e saj bazuar në një proces të dizajnuar ndërkombëtarisht nga Kombet e Bashkuara, të udhëhequr nga i dërguari special i Sekretarit të Përgjithshëm, Presidenti Martti Ahtisaari. Si rezultat i zbatimit të Planit Gjithëpërfshirës Kosova është shndërruar në një shtet funksional, demokratik dhe multietnik.

Miratimi dhe zbatimi i Kushtetutës, decentralizimi i pushtetit tek komunat në të gjithë vendin, krijimi i gjashtë komunave të reja për komunitetin me shumicë serbe, si dhe zgjedhja e 24 deputetëve nga komunitetet prej të cilëve 13 janë nga komuniteti serbë, në parlamentin e Republikës së Kosovës i cili përbëhet nga 120 deputet - janë vetëm disa shembuj të transformimit të rëndësishëm të vendit tim, po ashtu në Qeverinë time, tre Ministra janë serbë të Kosovës, duke përfshirë këtu një zëvendëskryeministër.



Esencial për këtë proces ka qenë krijimi i një sistemi të elaboruar të drejtave të minoriteteve për të sjellë të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga identiteti etnik, në strukturat politike të shtetit të ri.
E tërë korniza ligjore që mbulon legjislacionin e sektorit publik garanton të drejta të barabarta dhe përfaqësimin e të gjitha grupeve etnike në Kosovë.
Qeveria ime ka ndërtuar një themel të fortë dhe sistemin shumë-shtresor e të drejtave që i përmbushin dhe shpesh tejkalojnë normat ndërkombëtare.
Angazhimi ynë i palëkundur ndaj këtyre parimeve tregon më tej se Kosova është një shtet shumë-etnik i bazuar në vlerat dhe standardet evropiane, ku parimet dhe fryma e Planit të Presidentit Ahtisaarit do të jetë përgjithmonë pjesë e shtetit dhe shoqërisë tonë.
Në muajt e fundit, ne kemi kaluar 21 ligje dhe amendamente të rëndësishme që lidhen me përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur për të drejtat e komuniteteve, për decentralizimin, për trashëgiminë kulturore dhe fetare, dhe që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe pajtimin. Disa prej tyre janë në fazën e zbatimit të tyre përderisa ne flasim sot këtu.
Gjatë periudhës raportuese, kam marrë vendim për emërimin e një komisioneri për Gjuhë dhe një Drejtor për kanalin 2 të Transmetuesit Publik të Kosovës, i cili është ekskluzivisht për komunitetin serbë dhe të tjerët.
Sikurse thotë Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm, ligjet përkatëse dhe ndryshimet janë të destinuara për të forcuar mbrojtjen e Kishës Ortodokse Serbe dhe të vendeve tjera të trashëgimisë kulturore.
Ne jemi krenar që po mbrojmë 45 objekte fetare, historike dhe kulturore të përzgjedhura si zona të veçanta të mbrojtura, si dhe një listë të monumenteve dhe vendeve të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme që është miratuar së fundmi nga Qeveria e Kosovës.
Ne jemi shumë të ndërgjegjshëm dhe të angazhuar për afirmimin e të gjitha feve, dhe Policia e Kosovës është e përgatitur plotësisht për të marrë përsipër përgjegjësitë në sigurimin dhe mbrojtjen e manastireve dhe strukturat e tjera të cilat aktualisht janë nën përgjegjësinë e KFOR-it.
Në një kohë kur shumë vende janë duke u ballafaquar me problemet ekonomike, konflikte etnike dhe bllokim qeveritar, rasti i Kosovës mund të ofrojë mësime në ndërtimin e shtetit.
Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë ndërkombëtare ka hapur një kapitull të ri në shtetësinë e Kosovës duke krijuar institucione të qëndrueshme demokratike, një ekonomi të tregut të lirë, infrastrukturës, drejtësisë dhe administratës publike, arsimit dhe kulturës.
Ne kemi vazhduar avancimin Reformës së Administratës Publike në bazë të rekomandimeve të Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian, drejt një administrate të pavarur, efektive dhe shumetnike, duke inkorporuar praktikat e qeverisjes demokratike.
Shteti i Kosovës ka institucionet më të qëndrueshme në rajon dhe ka ruajtur stabilitetin e saj makroekonomik dhe fiskal edhe përkundër krizës financiare dhe të borxheve në Evropë. Këtë vit ne parashikojmë një rritje ekonomike prej 5%.
Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë reflekton besimin e komuniteteve se Kosova - me sukses do t’i bashkohet Bashkimit Evropian në vitet e ardhshme.



Qeveria ime është shumë e përkushtuar dhe e fokusuar në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundimin e Ligjit -EULEX ka luajtur një rol vendimtar këto vitet e fundit.
Bazuar në arritjet tona përkrahim plotësisht rikonfigurimin dhe zvogëlimin e misionit të EULEX-it me rreth 25%.
Raporti konfirmon se institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit kanë bërë progres të madh dhe EULEX-i do të vazhdojë të jetë një partner strategjik i Kosovës.
Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë dhe rikonfigurimi i EULEX-it janë komplementar në konsolidimin e shtetësisë dhe janë një shenjë e qartë e përparimit të përgjithshëm të Kosovës.
Ne pranojmë plotësisht rolin e EULEX-it në fushën e sundimit të ligjit dhe në procesin e integrimit në Bashkim Evropian, prandaj, ne mbetemi të angazhuar për të miratuar një bazë të re ligjore në kontekstin e zgjatjes të misionit të EULEX-it deri në mes të qershorit 2014.
Rezultati i negociatave do të miratohet nga Kuvendi, si një marrëveshje dypalëshe në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në muajt e fundit, numri i njohjeve formale të pavarësisë së Kosovës ka vazhduar të rritet dhe është rikonfirmuar që ky është një proces i pandalshëm.
Unë sot do të doja të falënderoj Republikën e Çadit dhe Republikën e Malit për marrjen e vendimeve të tyre për të njohur Kosovën.
Pothuajse gjysma e shteteve anëtare të OKB-së e kanë njohur tashmë Republikën e Kosovës, dhe ne presim njohje të tjera në javët dhe muajt e ardhshëm.
Ne fuqimisht besojmë se mosnjohja rrezikon stabilitetin në Ballkan, minon investimet evropiane dhe ndërkombëtare në shtet-ndërtimin e Kosovës dhe rrezikon perspektivën për integrim të gjithë rajonit.
Zbatimi i Planit Gjithëpërfshirës dhe Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë janë arritje të mëdha në ndërtimin e një Kosovë shumë-etnike, dinamike dhe me diverzitet.
Kam kënaqësinë t’iu informoj se ekziston një numër në rritje i komuniteteve që kërkojnë shërbime të ndryshme nga qeveria ime.
Më shumë se 50.000 serbë të Kosovës janë pajisur me dokumente personale identifikimi dhe pasaporta të Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe shumë udhëheqës serb fetar dhe të komunitetit.
Angazhimi ynë në drejtim të promovimit dhe mbrojtjes së komuniteteve dhe të drejtave të tyre, duke përfshirë edhe të drejtën e kthimit, mbetet në qendër të politikës sonë të përditshme.
Ne kemi ndarë mbi tetë milionë euro për vitin 2012, dhe në tri vitet e ardhshme qeveria ime do të sigurojë mbi 21 milionë euro vetëm për kthimin dhe të drejtat të komuniteteve.
Janë miratuar një numër i madh i strategjive dhe planeve të veprimit, si dhe janë themeluar zyrat e reja komunale për komunitete dhe kthim.
Këto zyra janë përgjegjëse për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë, personat e zhvendosur dhe të kthyerit, duke përfshirë personat e riatdhesuar, duke siguruar qasje të barabartë në shërbimet publike, koordinimin dhe promovimin e procesit të kthimit.
Më 30 prill, qeveria ime ka arritur një marrëveshje me OSBE-në për të siguruar mundësinë për serbët e Kosovës me shtetësi të dyfishtë për të votuar në zgjedhjet e fundit serbe.



Ky parim është i bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në pajtim me standardet evropiane.
Pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në këto zgjedhje ishte rreth 30%, që është më e vogël se pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare të organizuara nga institucionet e Kosovës.
Është e rëndësishme të theksohet se për herë të parë që prej përfundimit të luftës, Serbia ka rënë dakord që të mos organizojë zgjedhje në Kosovë duke pranuar legjitimitetin e rendit kushtetues të vendit tim.
Në këtë periudhë raportuese, një incident i sigurisë ka ndodhur me 28 qershor në Prishtinë dhe Merdarë. 32 policëve të Policisë së Kosovës u plagosën si pasojë e përleshjeve të drejtpërdrejta me protestuesit serbë, të cilët hodhën gurë dhe janë përpjekur për të hequr një shenjë të kufirit të Kosovës.
Përgjigja e forcave tona policore - të themeluara nga Kombet e Bashkuara në vitin 1999 – ishte e matur, profesionale dhe jo e dhunshme.
Sot, ajo është institucion udhëheqës i sektorit të sigurisë, ku 15% e forcës përbëhet nga komunitetet minoritare, një numër i cili është shembull për standardet e Ballkanit si tërësi.
Më 9 korrik ka ndodhur një vepër kriminale. Ne fuqimisht kemi dënuar vrasjen e dy qytetarëve të Kosovës në fshatin Talinovc në komunën e Ferizajt.
Institucionet e Kosovës e shohin këtë si një akt kriminal që shkon kundër vlerave të shoqërisë sonë dhe shtetit.
Përgjigja jonë e shpejtë tregoi se ky akt i dhunës është i patolerueshëm për ne dhe ne kemi kërkuar nga autoritetet përkatëse për të hetuar rastin dhe për të siguruar që autorët e krimit të sillen para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur.
Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj se të dhënat e besueshme dëshmojnë se krimet me motive etnike kanë shënuar rënie në mënyrë drastike në kohën e pas-pavarësisë së Kosovës.
Sot Prishtina është kryeqyteti më i sigurt rajonal. Në këtë kontekst, sipas agjencisë së OKB-së -UNDP - studimi i cili është bërë në korrik, tregon se kënaqshmëria e serbëve të Kosovës me institucionet e sigurisë së Kosovës ka përjetuar një trend pozitiv të mbështetjes.
Ky studim konfirmon se siguria personale nuk është më një çështje mbizotëruese ne komunitetin serbë.
Kam kënaqësi poashtu t’iu informoj se me iniciativën është krijuar Grupi punues ndërministror për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtimin, çka sinjalizon vendosmërinë e qeverisë ndaj kësaj nisme të rëndësishme.
Qëllimi nuk është për të ndëshkuar, por për të krijuar një program dëmshpërblimi për viktimat, familjet e tyre dhe për të ndjekur penalisht autorët e krimeve, në mënyrë që anëtarët e çdo komuniteti etnik mund të ecin përpara drejt pajtimit.

2. Gjendja në komunat veriore të Kosovës



Më lejoni të përsëris se në këtë drejtim ne kemi bërë progres të madh në integrimin e komunitetit serb, në të dy nivelet e qeverisjes, atë qendror dhe lokal.
Ne ishim të përkushtuar dhe arritëm të integrojmë më shumë se 100.000 serbë të Kosovës në institucionet tona, ku ata tani janë duke gëzuar vetëqeverisjen në komunat e Graçanicës, Novo Brdos, Kllokotit, Ranillukut, Parteshit dhe Shtërpces.
Megjithatë, ne nuk kemi mundur të arrijmë rezultate të njëjta në tri komunat në pjesën veriore të Kosovës, ku ka rreth 30.000 serbë lokalë.
Në të njëjtën kohë Serbia u përpoq të ushtrojë kontroll administrativ mbi këto komuna me policinë e saj dhe strukturat ilegale të sigurisë, të cilat janë të drejtuara, financuara dhe kontrolluara direkt nga qeveria e Beogradit.
Serbia nuk ka lejuar serbët lokalë që të bashkëpunojnë me praninë ndërkombëtare, atë të KFOR-it dhe të EULEX-it ose me institucionet e Kosovës.
Pozita e Qeverisë sime është e qartë për këtë çështje: Ne jemi kundër idesë së ndarjes, ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve.
Si rezultat i kësaj, Qeveria e Kosovës së fundi vendosi të themelojë Zyrën Administrative në pjesën veriore të Mitrovicës.
Kjo zyrë do të ofrojë të gjitha shërbimet për qytetarët e kësaj pjese të Kosovës dhe do të koordinojë angazhime dhe investime të qeverisë në këtë pjesë të vendit.
Fillimisht, zyra do të përbëhet nga shtatë drejtori me 55 punonjës dhe do të drejtohet nga një pjesëtar i komunitetit në veri të Mitrovicës.
Ky është një hap tjetër i rëndësishëm drejt krijimit të komunës veriore të Mitrovicës, siç parashihet me dispozitat e Presidentit Ahtisaari.
Zyra do të ofrojë deri në 80 vende të reja pune dhe do të ketë një buxhet prej rreth 4.000.000 € në vit për shërbimet themelore në projektet e komunitetit dhe të infrastrukturës në pjesën veriore të Mitrovicës.
Ne kemi pasur reagime shumë pozitive nga qytetarët lokalë, të cilat mund të maten me mijëra aplikacione të pranuara për punësim në Zyrën Administrative.
Këtë vit unë kam paralajmëruar fillimin e dialogut të brendshëm mes qeverisë sime dhe serbëve të Kosovës në komunat veriore, për të diskutuar situatën ekzistuese atje. Ne tashmë kemi zhvilluar një plan si të integrojmë këtë pjesë me pjesën tjetër të Kosovës.
Poashtu, Komisioni Evropian në raportin e vitit të kaluar të Progresit për Kosovën, ka kërkuar hartimin e një strategjie për integrimin e tri komunave veriore.
Ne duhet të këmbëngulin në sundimin e ligjit në këtë pjesë të Kosovës, tërheqjen e policisë së paligjshme dhe forcave të sigurisë së Serbisë, lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit, zhvillimin ekonomik dhe në kthimin e personave të zhvendosur si dhe të ndodh pajtimi.
Në emër të Republikës së Kosovës ne kemi premtuar që do të komunikojmë dhe bashkëpunojmë me çdo udhëheqës serb të zgjedhur në veri, i cili respekton institucionet e vendit tim.
Ne jemi të gatshëm për të gjetur zgjidhjen më të mirë se si të integrohen serbët e Kosovës politikisht, ekonomikisht dhe socialisht me pjesën tjetër të Kosovës. Megjithatë, ne kurrë nuk do të rrezikojmë pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të shtetit tonë.




3. Dialogu teknik

Kosova beson në dialogun si një vlerë demokratike dhe në këtë frymë kemi filluar një dialog teknik me Republikën e Serbisë në mars të vitit 2011.
Ky dialog - nën lehtësimin e Bashkimit Evropian, siç është përcaktuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së - ka rezultuar në progres të konsiderueshëm dhe ka prodhuar shtatë marrëveshje të rëndësishme dypalëshe.
Disa prej marrëveshjeve janë në fazën e implementimit megjithatë, shumica e tyre kanë mbetur vetëm në letër.
Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve (MIK) u arrit në dhjetor të vitit të kaluar, por protokolli teknik ende nuk është nënshkruar nga Serbia.
Serbia refuzon zbatimin e marrëveshjes për bashkëpunim rajonal.
Ne besojmë se progresi i vërtetë i dialogut qëndron në zbatimin e plotë të marrëveshjeve dhe kjo është arsyeja pse, Republika e Kosovës ka dëshmuar të jetë konstruktive dhe efektive në arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve.
Besueshmëria e këtij dialogu teknik është në rrezik dhe ne i bëjmë thirrje Serbisë për të implementuar atë që ka rënë dakord gjatë këtij procesi.
Në të njëjtën kohë, më lejoni të përsëris këtu se normalizimi i marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë është prioriteti ynë.
Ne jemi të vetëdijshëm se mungesa e marrëdhënieve normale dhe demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë është një pengesë e madhe për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e gjithë Ballkanit.
Pra, dua të ritheksoj dhe të jem shumë i qartë se përderisa ne jemi të përkushtuar ndaj dialogut, në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës kurrë nuk do ta diskutojmë. Shtetësia e Kosovës është fakt politik dhe juridik.
Ne fuqimisht besojmë se dy kombet nuk duhet të mbeten peng e tensioneve politike, sidomos që e kaluara dhe e ardhmja e vendeve tona janë të ndërthurura thellë.
Ne do të avancojmë aspiratat tona Euro-Atlantike për të shkuar përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

4. Perspektiva evropiane e Kosovës

Agjenda kryesore e qeverisë sime, së bashku me stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik, është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Që nga viti 1999, Bashkimi Evropian ka qenë një pjesë integrale e përpjekjeve ndërkombëtare për të ndërtuar një të ardhme të re.
Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, me EULEX-in, si edhe me përfaqësitë e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Gjatë periudhës së raportimit, Kosova ka përparuar marrëdhëniet formale me Bashkimin Evropian.
Nëpërmjet procesit të studimit të fizibilitetit ne kemi krijuar një rrugë që na mundëson fillimin e negociatave për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.
Ne përveç kësaj, më 14 qershor, zyrtarisht kemi pranuar udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave të miratuar nga Komisioni Evropian, dhe ne kemi filluar zyrtarisht dialogun e strukturuar mbi sundimin e ligjit.
Përveç kësaj, këtë vjeshtë, BE-ja do të publikojë studimin e fizibiltetit mbi gatishmërinë e Kosovës për të negociuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.
Ky është një moment historik dhe hap një fazë të re në marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me shtetin e Kosovës.
Kosova meriton avancimin në kuadër të procesit të integrimit evropian. Historia, kultura dhe gjeografia jonë na bëjnë Evropian, dhe ne tashmë ndajmë vlerat thelbësore evropiane dhe do të vazhdojmë t’i praktikojmë ato.

5. Konkluzionet

Në emër të institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës, më lejoni të përfundoj këtu duke ri-theksuar se për vendin tim konsolidimi i shtetësisë dhe forcimi i subjektivitetit ndërkombëtarë të shtetit tonë janë prioritete kryesore.
Sot optimizmi ynë është ushqyer nga fakti se ne jemi një vend modern, shtet i besueshëm dhe shumetnik duke lëvizur drejt integrimit në institucionet euro-atlantike.
Ne jemi dhe ne do të mbesim një anëtare proaktiv dhe i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar, duke qenë prodhues i paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkan dhe në Evropë.


(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Lojtari shijakas dërgohet në spital, pse u ndal ndeshja Flamurtari - Erzeni në Kategorinë e Parë

VIDEO/ Lojtari shijakas dërgohet në spital, pse u ndal ndeshja Flamurtari - Erzeni në Kategorinë e Parë