OKB: Dy e treta e ndërtesave në Gazë janë dëmtuar nga lufta

OKB: Dy e treta e ndërtesave në Gazë janë dëmtuar nga lufta

Ndërtesa të dëmtuara nga lufta në Gazë

Dy e treta e ndërtesave në Rripin e Gazës janë dëmtuar ose shkatërruar që nga fillimi i luftës në Gazë në tetor të vitit 2023, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Në përditësimin e fundit të raportit vlerësues të dëmeve, Qendra Satelitore e OKB-së (UNOSAT) tha se imazhet me rezolucion të lartë të mbledhura më 3 dhe 6 shtator tregojnë një përkeqësim të dukshëm.

“Kjo analizë... tregon se dy të tretat e totalit të strukturave në Rripin e Gazës kanë pësuar dëme”, tha UNOSAT.

“Totali prej 66 përqind të ndërtesave të dëmtuara në Rripin e Gazës përfshin gjithsej 163.778 struktura”, thuhet tutje në vlerësimin e UNOSAT-it.

Vlerësimi paraprak, bazuar në imazhe nga fillimi i korrikut, kishte përcaktuar se 63 përqind e strukturave në këtë territor palestinez kishin pësuar dëme.

Përditësimi i së hënës bëri të ditur se dëmet tani përfshijnë “52.564 struktura të shkatërruara; 18.913 struktura të dëmtuara rëndë; 35.591 struktura të mundshme të dëmtuara; dhe 56.710 të prekura mesatarisht”.

UNOSAT dhe Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së raportuan gjithashtu se rreth 68 përqind e fushave të kulturave të përhershme në Gazë treguan një “rënie të ndjeshme në shëndetin dhe dendësinë” e tyre në shtator.

Sulmi i paprecedentë i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor rezultoi në vdekjen e 1.205 personave, kryesisht civilë, sipas një bilanci të AFP-së, bazuar në shifrat zyrtare izraelite që përfshijnë pengjet e vrara në robëri.

Ofensiva ushtarake hakmarrëse e Izraelit ka vrarë të paktën 41.615 persona në Gazë, shumica prej tyre civilë, sipas shifrave të ofruara nga ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja. Kombet e Bashkuara e kanë përshkruar këtë numërim si të besueshëm.

Një i afërm i viktimave qan pas vrasjes së binjakëve katërditësh nga një sulm izraelit në Gazë, teksa mban në duar certifikatat e tyre të lindjes në morgun e një spitali në Deir al-Balah, 13 gusht 2024.

UNOSAT, pjesë e Institutit të OKB-së për Trajnim dhe Kërkim (UNITAR) në Gjenevë, thotë se analiza e saj e imazheve satelitore ndihmon komunitetin humanitar të vlerësojë përmasat e dëmeve nga konflikti dhe ndihmon në formësimin e përpjekjeve të ndihmës emergjente.

“Në vitin e fundit, ekipi i UNOSAT-it ka punuar pa pushim për të ofruar informacione të sakta dhe të përditësuara mbi ndikimin e konfliktit në ndërtesat dhe infrastrukturën në Gazë,” tha drejtori ekzekutiv i UNITAR-it, Nikhil Seth./REL

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ E enjtja e pajës, ekspozitë me ‘Punimet e Dashurisë’

Korçë/ E enjtja e pajës, ekspozitë me ‘Punimet e Dashurisë’