Xhihadistët që kanë përhapur terrorin në Irak dhe në siri duan të krijojnë një botë të përgjakshme, theksoi sot Komisioneri i ri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, jordaniani Zeid Ra'ad al Hussein, gjatë fjalimit të tij të parë.

"Si mund të funksionojë një shtet takfiri (term që përshkruan ekstremistët sunitë shën. i përkth.). Do të jetë një botë e përgjakshme, e egër dhe keqdashëse, pa asnjë lloj mbrojtjeje për jo takfirit", deklaroi Zeid duke u shprehur gjatë hapjes së sesionit të 27 të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Gjenevë.

"Në botën takfiri humbisni të drejtën për të jetuar, shpëtoni vetëm nëse opinioni juaj është i njëjtë me të tyrin, dhe mendimet e tyre janë të ngushta dhe jo fleksibël", shtoi ai.

"Në shpirtin takfiri, sikurse e kemi parë në Nigeri, Afganistan, Pakistan, Jemen, Kenia, Somali, Mali, Libi, Siri dhe Irak, dhe kudo në botë ku kanë sulmuar persona të pafajshëm, duke përfshirë edhe 11 shtatorin, nuk ka dashuri për të tjerët, ekziston vetëm zhdukja e të gjithë myslimanëve, kristianëve, hebrenjve dhe të pjesës tjetër të njerëzimit që kanë besime ndryshe nga e tyrja", theksoi Komisioneri i Lartë i OKB-së.
Ekstremistë sunitë të drejtuar nga xhihadistët ultra radikalë të Shtetit Islamik (SHI), përgjegjës për masakra në Irak dhe Siri, kanë marrë nën kontroll pjesë të mëdha territoresh në Irak falë ofensivës së tyre të filluar më 9 qershor./ATSH/