Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) do t’i shterojë burimet financiare në muajin gusht dhe po pret donacione për të mundur të “mbijetojë” edhe pas shtatorit. Kështu deklaroi Chandramouli Ramanathan, nënsekretar i përgjithshëm i OKB-së për planifikimin e programeve, financat dhe buxhetin.

“Edhe sa i përket buxhetit të zakonshëm, ne po operojmë me burime financiare shumë të kufizuara. Nuk kemi më likuiditet përtej muajve gusht dhe shtator. Paratë kanë mbaruar. Po presim donacione që të mund të mbijetojmë edhe pas shtatorit. Në çdo rast, ka shumë gjasa që ta mbyllim vitin me bilanc zero, çka do të thotë të mbijetojmë me shumë vështirësi dhe me një buxhet të reduktuar”, deklaroi Ramanathan gjatë një konference për shtyp.

Pse mungojnë paratë?

Një pjesë e përgjegjësisë për këtë mungesë likuiditeti lidhet me pagesat e vonuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Këto dy vende janë kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e organizatës dhe së bashku mbulojnë 42% të buxhetit të përgjithshëm të OKB-së.

Në një raport të publikuar në fillim të muajit maj, OKB-ja kishte paralajmëruar tashmë rrezikun e një kolapsi financiar.

Shtetet e Bashkuara i detyrohen organizatës rreth 4.3 miliardë dollarë, nga të cilat afro 2 miliardë dollarë i përkasin buxhetit të zakonshëm, pra kontributeve të rregullta që çdo shtet anëtar paguan në përpjesëtim me madhësinë e ekonomisë së tij dhe mbi të cilat mbështetet funksionimi i strukturës së madhe të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, Kina duhet të paguajë 429 milionë dollarë kontribute për buxhetin e zakonshëm, 870 milionë dollarë për operacionet paqeruajtëse (peacekeeping) dhe 9 milionë dollarë për gjykatat ndërkombëtare, duke arritur në një total prej më shumë se 1.3 miliardë dollarësh.