Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë një raport të një misioni të pavarur faktmbledhës të Kombet e Bashkuara, i cili tha se ka dyshime të arsyeshme për të besuar se Shtetet e Bashkuara kanë kryer krime lufte gjatë dy sulmeve ajrore në Iran.
Misioni i Pavarur Ndërkombëtar Faktmbledhës për Iranin tha në një raport të publikuar më 17 shtator se ka dyshime të arsyeshme për të besuar se forcat amerikane kishin kryer krim lufte gjatë sulmeve ndaj një shkolle në Minab dhe ndaj një objekti sportiv në Lamerd më 28 shkurt.
Në një përgjigje të ashpër me shkrim ndaj raportit, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, i hodhi poshtë gjetjet.
“E vetmja palë në këtë konflikt që ka kryer krime lufte është regjimi iranian, i cili ka vrarë mijëra njerëz të vet, ka vrarë amerikanë jashtë vendit, ka kryer akte terrorizmi në Ngushticën e Hormuzit dhe ka kryer sulme pa dallim ndaj fqinjëve të tij në rajon”, tha ajo.
Kelly tha po ashtu se Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut “nuk ka bërë asgjë për të drejtat e njeriut, teksa për dekada ka thënë broçkulla joserioze”.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë vazhdimisht se operacionet ushtarake kryhen në përputhje me ligjin për konflikt të armatosur dhe se po zhvillohet një hetim.
Çfarë ndodhi në Minab dhe Lamerd?
Më 28 shkurt, gjatë sulmit të përbashkët SHBA-Izrael ndaj Iranit, raketat goditën Shkollën Fillore Shajareh Tayyebeh në Minab, provinca Hormozgan në Iranin jugor, rreth orës 10:30 të mëngjesit.
Shkolla ishte afërsisht 72 metra larg një objekti detar të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), por ndahej prej saj nga një mur, kishte hyrjen e vet dhe ishte e dukshme në imazhet satelitore si një shkollë funksionale, me murale për fëmijë, një kënd lojërash dhe klasa.
Hetuesit zbuluan se shkolla ishte goditur dy herë. Sulmi i parë goditi katin e poshtëm; ndërsa stafi i zhvendoste fëmijët në një dhomë lutjesh në katin e sipërm, një e dytë goditi katin e sipërm, duke vrarë shumë prej 156 veta.
Rreth orës 17:10 në të njëjtën ditë me sulmin në Minab, pati një sulm ajror në Kompleksin Kulturor dhe Sportiv Shahid Haj Khalil Naimi në Lamerd, provinca Fars - gjithashtu në jug të vendit - një strukturë që misioni i mandatuar nga OKB-ja tha se nuk kishte përdorim ushtarak.








Komente
Komento