Organizata e Kombeve të Bashkuara ka publikuar raportin e parë botëror për mafiat ku citohet se që nga viti 2000, kanë vrarë 95 mijë persona në vit, një shifër e barabartë me numrin vjetor të viktimave të luftërave.

Raporti u prezantua në Palermo, në përvjetorin e masakrës së Capaci-t. Më 23 maj 1992, në autostradën mes aeroportit Punta Raisi dhe Palermos pati një shpërthim ku humbën jetën gjykatësi Giovanni Falcone, bashkëshortja e tij, Francesca Morvillo dhe tre truprojat e tyre. Për atentatin u dënuan, ndër të tjerë, bosët mafiozë Riina dhe Provenzano.

“Kjo është një shifër vërtet alarmante që kundërshton mitin se organizatat kriminale kanë ndryshuar mënyrën e tyre të veprimit, duke iu drejtuar më pak dhunës”, tha Giovanni Gallo, drejtues i zyrës së OKB për Krimin e Organizuar.

Raporti analizon evolucionin e mafieve ndërkombëtare që nga Konventa e Palermos kundër Krimit të Organizuar, e nënshkruar në vitin 2000, deri në ditët e sotme, duke nxjerrë në pah çfarë ka mbetur e pandryshuar dhe cilat kanë qenë përgjigjet ndaj këtij fenomeni.

Studimi thekson, përveç numrit të madh të vrasjeve nga grupet kriminale, edhe zhvillimin e teknologjisë, me zgjerimin e gamës së viktimave, pasi kushdo mund të bëhet objekt i zhvatjeve në shkallë të gjerë dhe mashtrimeve online. Raporti vë në dukje gjithashtu se aktiviteti më fitimprurës i mafieve mbetet trafiku i drogës: përgjatë rrugëve ballkanike, tregtia e paligjshme e heroinës dhe metamfetaminës gjeneron nga 3 deri në 7 miliardë dollarë në vit, ndërsa kokaina gjeneron të paktën 10 herë më shumë, pavarësisht diversifikimit të aktiviteteve në krime mjedisore, trafik arti dhe prerje të paligjshme pyjesh.

Raporti thekson gjithashtu përdorimin e vazhdueshëm të dhunës dhe frikësimit për të ushtruar pushtet; mesatarisht, një në pesë vrasje të qëllimshme në botë lidhet me organizatat kriminale, ndërsa shifra rritet në Amerikën Latine, ku një në dy vrasje kryhet nga kartelet e drogës./Sky