Fjala e kryeministrit Rama në OKB
Zoti President, të nderuar përfaqësues të popujve që ende nuk kanë emigruar,
Më erdhi përsëri radha të predikoj në këtë shkretëtirë ku mblidhemi çdo shtator. E dua shumë këtë sallë. Në Tiranë, kur flas unë, njerëzit ose duartrokasin, ose marrin rrugën për në Gjermani. Këtu, të paktën, nga karriget bosh nuk hidhet ndonjë vezë. Këtu mikrofonin nuk ta fik njeri deri në fund.
Shumë miq më pyesin: “Ç’po bëni ju në Shqipëri me Inteligjencën Artificiale?” Për inteligjencën natyrale nuk më ka pyetur askush. Kjo është mirësjellje diplomatike. Edhe në shtëpinë e të varurit njeriu nuk flet për litarin.
Baruti ndryshoi luftën, fisioni bërthamor ndryshoi njerëzimin, Inteligjenca Artificiale po ndryshon botën. Shqipëria, si gjithmonë, nuk humbi kohë me fazat e ndërmjetme. Ne nuk kaluam nga kali te makina; kaluam drejt e nga karroca te ministrja virtuale. Shtetin me inteligjencë njerëzore e provuam tridhjetë vjet dhe nuk e bëmë dot. Tani provojmë ta drejtojmë pa të.
Kështu lindi Diella, ministrja jonë artificiale. Disa dashakeqës thonë se e krijuam për t’ia hedhur përgjegjësinë makinës. Shpifje! Për hedhjen e përgjegjësisë ne kemi prej kohësh një sistem kombëtar, të patentuar, që punon edhe kur s’ka drita: ministri nuk e dinte, drejtori veproi vetë, vartësi zbatoi urdhrin, urdhri nuk u gjet, ndërsa kryeministri ka teorinë e tij shkencore: “Kumbullat dhe dardhat hahen pas shpinës sime.” Kam pyetur agronomët e gjithë botës për një kopsht ku pemët piqen pas shpinës së pronarit. Nuk ekziston. Është zbulim shqiptar dhe presim ta regjistrojmë në UNESCO.
Diella ka disa avantazhe të vogla. Nuk mund të arrestohet. Nuk mund të japë dorëheqje. Nuk mund të dalë në televizor dhe nuk e thotë kurrë që përgjegjësia është e Diellit. Dhe, mbi të gjitha, Diella nuk ha. Një ministër që nuk ha! Për Shqipërinë kjo është revolucion më i madh se vetë Inteligjenca Artificiale.
Ne flasim shpesh për rrezikun që teknologjia të bjerë në duar të gabuara. Dhe kemi arsye të shqetësohemi. AKSHI, institucioni që duhej të ishte vitrina e Shqipërisë digjitale, sipas akuzave të SPAK-ut, u bë vitrinë e diçkaje tjetër: manipulim tenderësh, dhunë, heqje e paligjshme e lirisë, pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal. Bota ka frikë se krimi do të përdorë teknologjinë. Tek ne u arritën maja të papara. Vetë teknologjia shtetërore ngriti grupin e vet kriminal. Kjo quhet vetëmjaftueshmëri. Nëse ky nuk është digjitalizim i plotë, atëherë s’di ç’është.
Pastaj kemi inceneratorët. Më lejoni t’ju tregoj një rast të vogël. Një fshatar kurioz shkoi në takimin e së premtes të Pranisë Besnike dhe pyeti deputetin ku është inceneratori. Deputeti i tha:
— Ja fatura ku paguhet inceneratori.
— Po inceneratori ku është?
— Kontrata ekziston, pagesa ekziston, kompania ekziston, fatura ekziston. Ti dashke dhe incenerator?
— Po mbeturinat?
— Mbeturinat janë problemi yt, jo i inceneratorit.
Kjo është ajo që bota e quan realitet virtual. Në Shqipëri kjo u shpik përpara Metaverse. Vetëm se paratë janë krejtësisht reale.
Edhe në pasuritë e paluajtshme kemi hyrë në epokën e re. Nga “300 apartamentet e Belës”, SPAK sekuestroi dy vila në Dhërmi. Diella ende po llogarit sa apartamente hyjnë në një vilë. Por këtu makina ka shumë për të mësuar nga ne. Tek ne një pronë ka pronarin real, pronarin në letër, përdoruesin dhe qiramarrësin. Hasani banon në pallatin që ia ka dhënë me qira Hyseni, i cili e ka blerë nga Hasani, i cili e kishte marrë nga një kompani e Hysenit me adresë në pallatin e Hasanit.
Por rasti më i vlefshëm për punimet e sotme të OKB-së është SHISH-i. Ndoshta e keni marrë vesh se ish-drejtuesja e SHISH-it, Vlora Hyseni, dyshohet t’i ketë thënë Ergys Agasit, koordinatorit tim: “Flej rehat, zemër, krejt radarët e shtetit për ty i mbyll.” Radarët u shpikën që të shohin. Ne i përmirësuam: tani mund të mos shohin. Kjo quhet radar me zemër. Inteligjenca Artificiale përpunon miliarda të dhëna, por ende nuk ka arritur atë shkallë sofistikimi si tek ne, ku edhe radari ka ndjenja njerëzore, zemër dhe shpirt.
Dua të flas edhe për realitetet e ndryshme që algoritmet krijojnë për qytetarët. Edhe këtu jemi përpara. Në të njëjtin pallat, njëri ndez televizorin dhe mëson se vendi po jeton ditët më të mira të historisë; tjetri hap frigoriferin dhe merr një lajm krejt tjetër. Njëri dëgjon se ekonomia rritet, tjetri pyet sa kushton djathi. Njëri dëgjon sa u rritën pagat, tjetri merr rrogën. Qeveria ka statistikat, qytetari ka algoritmin më të saktë të shpikur ndonjëherë: portofolin. Dhe frigoriferi është i vetmi institucion në Shqipëri që nuk është kapur. Duhet t’ia gjejmë anën edhe atij.
Pastaj kemi emigracionin. Nëse shqiptarët vazhdojnë të ikin, Inteligjenca Artificiale na jep më në fund zgjidhjen që politika nuk e gjeti: t’i zëvendësojmë me avatarë. Avatarët nuk kërkojnë rroga, nuk ankohen për spitalet, nuk ikin në Gjermani dhe mund të programohen të jenë optimistë 24 orë në ditë. Kemi edhe provën: Diella është avatari i një aktoreje. Diella u jep mësime qytetarëve si duhet të sillen, ndërsa aktorja është në gjyq për fytyrën dhe zërin që Diella përdor. Kështu arritëm ta bëjmë edhe Inteligjencën Artificiale të paguajë avokat.
Në këtë sallë bosh, që ngjan me shkretëtirë, theksoj se gënjeshtra mund të shumëfishohet miliarda herë nga algoritmet. Edhe këtë problem ne e kishim zgjidhur shumë më lirë dhe përpara se të shpikej Inteligjenca Artificiale: të njëjtën fjali e thotë kryeministri në mëngjes, ministri në drekë, deputeti në darkë dhe analisti në televizion para gjumit. Nuk na duhet algoritëm; na mjafton orari.
Pastaj kemi “Pasqyrën” digjitale, që do ta dallojë të vërtetën nga gënjeshtra. Projekt ambicioz, sepse deri sot këtë punë e ka bërë kryesisht qeveria. Por çdo pasqyrë ka një të metë të rëndë: tregon atë që i qëndron përpara. Prandaj mbetet një problem i vogël programimi: kush e kontrollon Pasqyrën, kush zgjedh burimin e autorizuar dhe, mbi të gjitha, çfarë ndodh kur Pasqyra të fillojë të lexojë realitetin? Ne na mbetet të zgjidhim që Pasqyra të mos kërkojë azil politik.
Ndoshta, para se të ikë, do të na shpjegojë si mund të ketë një vend njëkohësisht një dosje AKSHI me akuza për grup të strukturuar kriminal, një incenerator të paguar që nuk u ndërtua, vila të sekuestruara si pasuri e dyshuar nga korrupsioni dhe një ish-drejtuese të shërbimit sekret që dyshohet se i premtonte dikujt se radarët e shtetit do të fikeshin për hatër të tij.
Ne kemi zgjedhur përshpejtimin. Jemi dakord me propozimin e presidentit Trump për përshpejtimin. Ne përshpejtuam kullat, koncesionet, resortet, aeroportet dhe projektet 3D; tani po përshpejtojmë edhe Inteligjencën Artificiale. Një vend që ndërton kaq shpejt të ardhmen nuk ka kohë të merret me të tashmen, e aq më pak me të kaluarën, që rri e mbyllur në dosjet e prokurorisë.
Për gjithë botën pyetja më e madhe është: kujt do t’i bindet makina? Për Shqipërinë kjo është pyetja më e lehtë. Kemi vite përvojë me institucione që e dinë shumë mirë kujt t’i binden.
Këtu mbaron predikimi im në shkretëtirë. Tani kthehemi në Tiranë, ku Inteligjenca Artificiale ndërton të ardhmen, ndërsa inteligjenca njerëzore vazhdon të kërkojë tri gjëra shumë të vjetra: të vërtetën, përgjegjësinë dhe shtetin.
Faleminderit!







Komente
Komento