Organizata e Kombeve të Bashkuara deklaroi sot se i dërguari i saj për Sirinë, Staffan De Mistura ka ftuar për të biseduar mbi çështjen siriane Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 6 aleatë të tjerë.
Mirëpo, planifikimi i takimit ku do të marrin pjesë SHBA-të, Gjermania, Britania, Arabia Saudite, Jordania, Franca dhe Egjipti, pritet të mbahet në Gjenevë të Zvicrës, më datë 14 shtator.
Bëhet e ditur se ky takim do të zhvillohet vetëm dy ditë pasi De Mistura të takohet me përfaqësues të Rusisë, Turqisë dhe Iranit, më datat 11-12 Shtator, ku do të bisedohet gjithashtu për Sirinë dhe mundësinë e zgjidhjes përfundimtare të konfliktit atje.
Gjithashtu OKB-ja ka shtyrë afatin për të hartuar një kushtetutë të re për Sirinë dhe ka ngarkuar pikërisht De Misturën për të formuar një komitet të shtetasve sirianë për të hartuar kushtetutën e re, menjëherë pas marrjes së nominimeve nga qeveria siriane dhe opozita.