TIRANE - Sekretari i Përgjithshëm i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, zhvilloi sot një takim me Drejtorin e Zyrës për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, ku ky i fundit u shpreh i zhgënjyer nga mungesa e konsensusit politik dhe ecuria e reformave

“Në këtë takim u diskutua rreth situatës politike në vend dhe nevojës jetike që ka Shqipëria për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme në mënyrë që qytetarët të vendosin me votë të lirë për qeverisjen demokratike të vendit dhe Shqipëria të ndahet një herë e mirë nga zgjedhjet e kontestuara dhe të manipuluara. Duke marrë shkas edhe nga raporti i Transparency International, Oketa shprehu shqetësimin për nivelin alarmant të korrupsionit, pandëshkueshmërinë dhe mungesën e vullnetit të maxhorancës për të luftuar korrupsionin”, bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të FRD-së.

Moore shprehu zhgënjimet për mungesën e konsensusit politik si dhe ecurinë e reformave, edhe pas mesazheve të qarta të Sekretares Amerikane të Shtetit,” thuhet në njoftimin e FRD.

Oketa konfirmoi pozicionin e FRD-së për një politikë të moderuar si brenda dhe jashtë vendit duke evituar retorikat konfliktuale për të forcuar zbatimin e ligjit si dhe një klimë stabilizimi dhe promovimi për investimet e huaja në Shqipëri,” vijon njoftimi.

Oketa ka deklaruar se FRD do të mbështesë çdo reformë integruese që është në interes të shtetit shqiptar dhe të qytetarëve.

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)