Mikahil Fridman bëhet oligarku i parë rus që reagon kundër luftës që po zhvillohet në Ukrainë për katër ditë me radhë. Fridman e quan pushtimin e Ukrainës nga Rusia një tragjedi, ndërsa bën thirrje që t’i jepet fund sulmeve. Mikahil Fridman është një ndër njerëzit më të pasur në Rusi. Ai gëzon një pasuri prej 15.5 miliardë dollarë.

“Kam lindur në Ukrainën perëndimore dhe kam jetuar atje deri në moshën 17-vjeçare. Prindërit e mi janë qytetarë ukrainas dhe jetojnë në Lviv, qyteti im i preferuar. Por unë kam kaluar gjithashtu pjesën më të madhe të jetës sime si qytetar rus duke ndërtuar dhe zhvilluar biznese.”-thotë ai.

Ndër të tjera, biznesmeni deklaron se është shumë i lidhur me popujt e të dyja vendeve ndërsa thekson se lufta s’mund të jetë kurrë zgjidhje, pasi do të kushtojë jetë njerëzish.

“Jam shumë i lidhur me popujt ukrainas dhe rus dhe e shoh konfliktin aktual si një tragjedi për të dy. Unë nuk bëj deklarata politike, jam një biznesmen me përgjegjësi ndaj mijëra punonjësve të mi në Rusi dhe Ukrainë.

Megjithatë, jam i bindur se lufta nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Kjo krizë do të kushtojë jetë dhe do të dëmtojë dy kombe që kanë qenë në vëllazëri për qindra vjet”.-thotë Fridman.

Në ditën e katërt të luftimeve, Ukraina ka rënë dakord për zhvillimin e bisedimeve me Rusinë në Bjellorusi. Takimi do të zhvillohet në Pripyat, një qytet i braktisur, pranë kufirit Ukrainë-Bjellorusi, një qytet i braktisur në Ukrainën veriore, pranë kufirit Ukrainë-Bjellorusi.