Olldashi: PD-ja duhej të godiste
më fort kundërshtarët PS-LSI

Olldashi: PD-ja duhej të godiste<br />më fort kundërshtarët PS-LSI
Tiranë - Partia Demokratike pas humbjes i është futur procesit të zgjedhjes së kryetarit të ri pas largimit të kryetari historik Sali Berisha. I pari kandidat që u regjistrua, ishte Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, një prej figurave karizmatike që rilindën të PD në 2005. 

Sokol Olldashi ka përballë një tjetër figurë, po të 2005-ës, Lulzim Basha. Basha duket i preferuari i Berishës, por sa e vërtetë është kjo? A është Basha i preferuari i Berishës? Për këto dhe të tjera pyetje, ishte vetë kandidati për kryetarin e PD-së, Sokol Olldashi ai që u dha përgjigje përballë një paneli analistësh në “Top Story” me gazetarin Sokol Balla.
 
Në nisje të fjalës së tij, zoti Olldashi iu përgjigj përceptimit të një pjesë të opinionit publik dhe të disa mediave, që e shikojnë garën me fitues të paracaktuar. “Janë një pjesë e analistëve dhe e shtypit që e shikojnë garën kështu. Është një induksion që mediat ia kanë bërë kësaj gare. Kjo është një garë reale ku kam të gjitha shanset për ta fituar. Ka një tendencë të shtypit për të paragjykuar këtë cështje. Nuk e kuptoj se mbi bazën e cilës arsye, ndërkohë që vetë Berisha ka bërë të qartë që pozicioni i tij është neutral. Unë besoj realisht që Berisha është jashtë kësaj gare. Besoj që influenca e Berishës është shumë e fortë në PD dhe nëse do të donte të përcaktonte një kryetar, nuk do të kishte hezitimit dhe probleme për ta bërë. Berisha është treguar ‘fair’ dhe i paanshëm. Paragjykimet e shtypit duhet t’i vijë një fund dhe është koha që diversionet e shtypit të marrin fund. Nuk ka stisje në këtë garë”, tha Olldashi.
 
Por si mbërriti vendimi për të hedhur kandidaturën?

Sokol Olldashi: Njerëz që merren me politikë në nivele të tilla kanë ambicie. Nuk e prisja që kjo garë do të zhvillohej tani, por s’e fsheh që kam ambiciet e mia. Nuk është një rregull i domosdoshëm, por kur investimi politik, angazhimi, kur reagimi që merr nga militantët është i tillë që të bën të mendosh që objektivi është i arritshëm, sigurisht që të shkon nëpër mend. Në analizën time, kjo garë mund të ndodhte më vonë. Kam marrë vendimin e duhur për t’u futur në garë për të përfaqësuar atë shtresë të PD që unë i përkas. Për shumë vjet në PD, karrierë në hallka të ndryshme brenda PD dhe kanë qenë një sërë faktorësh që më kanë bërë të mendoj se duhet të futesha në këtë garë edhe për njerëzit që më kanë mbështetur e votuar gjithmonë. Në dy Kuvendet e fundit në PD, kam qenë në 5 njerëzit më të votuar dhe kjo përbën një shtysë për mua. Kjo do të thotë që anëtarësia e PD mirëpret Sokolin. 

Skënder Minxhozi: Armiku i padukshëm për momentin i kandidatëve për kryetarë të PD-së është një palë kundërshtare që i dihet kryeministri, por s’dihen anëtarët e qeverisë dhe që nuk ka një bilanc. Përballja me të majtën është e shtyrë në kohë, por kandidatët detyrohen ta afrojnë sepse gara për kreun e PD po zhvillohet tani dhe jo më vonë. Cilat janë arsyet që sollën humbjen e 23 qershorit?

Sokol Olldashi - Shkaqet janë shumë, por nëse i referohemi shifrave, kemi vetëm një rritje prej 0.88 përqind të PS. Duhet të arrijmë në konkluzionin që PS nuk fiton, por humbet PD dhe në këtë terren fiton LSI. Logjika e shifrave kërkon një analizë më të thelluar. Qeverisja ka përgjegjësitë e saj, si qendrore ashtu edhe ajo lokale, por kjo qeverisje në problemet makro ka qenë mjaft mirë, ndërsa tek problemet mikro, të individit, besoj nuk ishte aty ku duhet.

Andrea Stefani – Por pse mediat kanë qenë kundër qeverisë?

Sokol Olldashi – Një pjesë e mirë e botuesve kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë klientë të zotit Rama dhe deputetë të zotit Rama.

Andrea Stefani – Ajo që më shqetëson mua është përmbajtja e kësaj konkurence dhe cilësia e opozitës që vjen. Pozicionet e Olldashit dhe Bashës kanë justifikim, pozicione të forta, opozicione që i bëjnë jehonë gjithë traditës së Berishës, që është tradita më e cmuar më historike e PD. Ne jemi në një moment kthese dhe PD është në moment kthese. PD është një parti e ndërtuar mbi personalitetin e Berishës, kuptoj që në të tilla momente ata që duan ta drejtojnë PD, e kanë të vështirë të kritikojnë lidershipin e deritanishëm, Berishën vetë. Këta fillimisht do thonë që kjo është një traditë e cmuar nga e cila nuk do largohemi kurrë. PD e ka të nevojshme që të thellohet në kritikën e traditës së vet për të krijuar një opozitë të re.

Sokol Olldashi – Stefani është i njëanshëm në këtë debat, i rreshtuar fort kundër Berishës dhe e bën të jetë jorealist në vlerësimin që i bën garës dhe figurës së Berishës. Demokracia ka qenë demokraci liberale, në treg, ekonomi, politikë dhe institucioneve pavarësisht retorikës. Nëse presim që kjo garë të shndërrohet në një goditje të Berishës, bëhemi iracionalë, sepse përvoja e Berishës në PD është e vyeshme për PD, 23 vjet që ka një produkt pozitiv në PD. Duhet të mos harrojmë që pavarësisht pëlqimeve apo mospëlqimeve, duhet të pranojmë që kontributi i tij është një trashëgimi shumë e rëndësishme, zhvillimi i vendit në 8 vitet e fundit. 

Skënder Minxhozi – Dy kandidatët glorifikojnë një model të rënë më 23 qershor, kjo s’ka logjike?

Sokol Olldashi – Kemi disa qasje ndryshe. Unë kam ngritur disa cështje, kufitjë politikë, aleatët dhe nevojën që ka PD për t’u përshatur zhvillimeve në terren. Nëse duam të gjykojmë këtë garë ta gjykojmë për atë që është, jo në raport me Berishën. Kam nisur opozitën ndaj mazhorancës së ardhshme sepse ajo mazhorancë që s’ka ardhur në qeveri, ka rrëzuar premtimet e veta në shëndetësi, punësim dhe legalizim. Sa për 21 janarin, Garda e Republikës ka një rregullore që nuk ka lidhje me ministrin. Në rrethana të caktuara, Garda nuk merr në telefon Ministrin për të mbrojtur institucionet. Garda ka vepruar në bazë të rregullave të caktuara që interpretohen në moment. 

Sokol Balla: Duke se akuzat ndaj LSI-së, jo vetëm që vazhdojnë, por janë përforcuar madje…

Sokol Olldashi – Kam qenë dhe jam kritik ndaj LSI. Ka qenë pjesë e koalicionit tonë dhe unë si pjesë e kësaj mazhorance kam vërejtjet e mia shumë serioze për koston që LSI i shkaktoi mazhorancës dhe vetë PD në këto zgjedhje që reflektohet në shifra. Pavarësisht vendimit të 2009-ës për koalicion që ishte logjik dhe i drejtë, isha mbështetës i këtij koalicioni. Por në fund të këtij eksperimenti, ky bashkëpunim pati kosto për ne. Pjesa që menaxhoi LSI në koalicion cënoi kartën morale dhe prodhoi një kosto për PD. Këto vota që PD ka humbur kanë shkuar tek LSI dhe unë nuk besoj që kjo ka ndodhur rastësisht. Dje kam qenë dhe takuar demokratët në Skrapar dhe në Polican, gjithsej të punësuar që konsideroheshin të PD, ishin 84 dhe 1207 të LSI. Ky është një dominim politik ekstrem për shkak se ne lëshuam terren.

Skënder Minxhozi: Pse e keni lejuar këtë deformim që LSI i ka bërë pushtetit, ju keni qenë aksionerë bashkë?

Sokol Olldashi – Unë kam qenë kritik ndaj LSI, nuk jam tani që dola kandidat për kryetar. Kam qenë kritik prej kohësh me LSI-në. 

Andrea Stefani- Unë kam qenë kundër koalicionit të 2009, këta e pranuan. Ju thatë që me kalimin e kohës kjo ishte pjesa më e kalbur e LSI, por pse Berisha kërkoi ta mbajë deri në fund Metën?

Sokol Olldashi – Koalicioni është marrë me një vendim kryesie dhe të tjerë e kanë votuar. Më pas ka patur plot kritikë ndaj LSI-së. PD nuk ka patur pjesë të keqe në qeverisje dhe Berisha s’ka kërkuar të mbajë me zor LSI-në. 

Artan Hoxha - Në gjithë këto takime me demokratët ku po bisedoni, si e reflektojnë demokratët që ju takoni?

Sokol Olldashi – Nuk bëj një analizë të detajuar të asaj që ndodhi në 23 qershor, por shpjegoj mënyrën time se si do të ringremë PD. Ka një ngadalësim të strukturës së PD dhe shkëputje të PD me anëtarin bazë. Ka patur arrogancë të zyrave tona ndaj qytetarëve dhe demokratëve. Janë disa fenomene lokale që shfaqen. Opinionet e kolegëve vlejnë për një analizë, secili bën komentetet e tij. Debati është i mirëpritur brenda PD, përsa kohë nuk shkon për përcarjen e PD-së. Mendoj se duhej të godisnim si PS dhe LSI. Fushata kundër PS dhe lënia e lirë e LSI, krijoi këtë rrjedhje votash. 

Artan Hoxha: Keni frikë LSI-në?

Sokol Olldashi: Ky mekanizëm, i blerjes së votës, nëse lihet gjatë, do të kriminalizojë shoqërinë. Duhet ta ndalim këtë fenomen.

Skënder Minxhozi: Mendoni se ka luajtur rol futja në listë i ish-deputetëve të PS?

Sokol Olldashi – Nuk më rezulton të ketë patur ndonjë kosto. Në zonat e tyre nuk ka një diferencë në trend nga zonat e tjera, do të thotë që trendi është i njëjtë në të gjtiha zonat, për të mos thënë që njëra nga rastet ka rritje. Duhet të pranojmë që tek strukturat këto kandidatura u panë me rezerva.

Sokol Balla - Avantazhet ndaj Bashës?

Sokol Olldashi – Ne kemi ndryshim. Unë mendoj që PD duhet të mbetet qendër e djathtë, nuk besoj në mundësinë e bashkëpunimeve të ardhshme nga parti që vijnë nga krahu tjetër. Nëse do të flasim për pikat e forta të mia, është përvoja, debati parlamentar, koha për t’ia kushtuar veprimin opozitar PD. Unë e kam të plotë, Basha është i angazhuar në krye të Tiranës. 

Andrea Stefani: Shitja e votës tregon edhe deficitin e qeverisjes. Shkalla e korrupsionit lidhet me faktin që në Shqipëri nuk ka vepruar ligji, ka vepruar korrupsioni. A do të formuloni ndonjë kritikë që nuk e luftuam korrupsionin në qeverisje dhe do keni një platformë kundër tij?

Sokol Olldashi – Kjo është e vetmja qeveri që 2005-2013 ka ndërmarrë nisma ligjore konkrete kundër korrupsionit dhe goditi atë. 

Sokol Balla: Fakti që Basha humbi 3 mandate në Tiranë dhe ti një në Fier, është avantazh për ty?

Sokol Olldashi – Gara nuk është garë përgjegjësish. Është garë alternativash reale. Kjo që ndodhi është një kapitull i mbyllur dhe ne kemi nevojë për një kapitull të ri. Ne po i drejtohemi militancës së partisë dhe ata duan të dëgjojnë pse dhe si do të vijmë në pushtet. 

Artan Hoxha – Si do të drejtohet PD, përballë një ekstra-mazhorance? Si do të jetë PD dhe opozitarizmi i ardhshëm? Cformë do të ketë? 

Sokol Olldashi – Besoj që duhet të kemi veprim energjik real. Realisht opozitë strukturuar dhe profesionale. Kapaciteti që ka grupi i PD e lejojnë këtë. E dyta një opozitë që duhet të synojë rivendosjen e disa marrëdhënieve solide mes PD dhe shtresave tradicionale të së djathtës dhe thirrje për një koalicion opozitar të shumë faktorëve dhe vektorëve të shoqërisë shqiptare, ish-të përndjekur dhe pronarët, që përbëjnë 11.8 përqind që duhet ta rivitalizojmë. Një shtresë që është e mjaftueshme për të përmbysur 2 herë atë që u paraqit si Kingmaker, LSI-në. Kemi nevojë që të konsolidojmë marrëdhëniet me këtë shtresë dhe me disa shtylla tradicionale të së djathtës, akademikët, intelektualët dhe rininë. PD ka ardhur në pushtet sepse ka patur këta komponentë, nëse duam të ndërtojmë një aksion opozitar të fortë, duhet të konsolidojmë këto pesë shtylla. Sigurisht PD është parti e madhe dhe s’do jetë shtresash. Duhet të ristrukturojmë të gjitha organizmat, të rimodelojmë organizimin në disa spekte. Organizëm stimujsh për rezultat pozitiv dhe rivendosë një organizëm që përfaqësimi politik zgjidhet nga kultura bazë e PD, dhe jo nga një grup 2-5 njerëz. Kryesia e PD duhet të ndryshojë. Kryesia ka 25 njerëz të gjithë nga Tirana, duhet me anëtarë të shtrirë gjeografikisht. E gjithë struktura e PD ka nevojë për modifikime. 

Artan Hoxha – Ju kërkoni t’i jepni rol anëtarit të thjeshtë. A nuk është ndërrim i modelit të PD, nga parti elektorale në parti strukture që ngjan më shumë në një model të majtë dhe jo të djathtë?

Sokol Olldashi – PD është parti strukture dhe duhet ta riorganizojmë shumë mirë atë.

Artan Hoxha – Do të jeni destruktivë? Do të blllokoni reforma të domosdoshme, ashtu si Rama?

Sokol Olldashi – Absoluitisht jo. Destruktivitetit nuk mund t’i përgjigjemi me reciprocitet.

Artan Hoxha – Nëse kjo mazhorancë është e ashpër?

Sokol Olldashi – Nuk  di, por opozita është e paepur. Në 1992 dhe 2005 vumë përpara mazhoranca të forta duke përdorur karta të forta morale.

Skënder Minxhozi – Roli i Berishës pas 22 korrikut?

Sokol Olldashi – Berisha përbën një trashëgimi dhe eksperiencë të mirë të PD dhe është i lidhur me gjithcka PD ka arritur. Kam shumë vite që punoj nga afër me të dhe e di që ai është njeri shumë formal në marrëdhënie, s’shkel kufij. Të lejon hapësirat brenda tagrave që ti ke. Berisha nuk është njeri që të shkel kufitjë e tu dhe në këtë aspekt nuk do të jetë pengesë, por një trashëgimi shumë e vlefshme, që mund të japë një kontribut. Përsa kohë Berisha prodhon politikë, ne s’mund ta heqim me një vendim politikë, por kryetari i PD-së duhet të krijojë profilin e tij.

Andrea Stefani – Shqipëria në këto 23 vjet nuk ka bërë demokraci. Një nga këto akte kanë qenë ndryshimet e Kushtetutës në prill, të bëra nga Rama-Berisha. Rama ka shfaqur pendesë, Meta kërkon ndryshimin, ju do i jepni votat për ndryshimin e Kushtetutës?

Sokol Olldashi –
Për mua ndarja e pushteteve nga ana ligjore nuk ka asnjë problem.

Marrë nga Top - Channel
(v.gj/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Bruksel/ Në pritje të nisjes së Samitit, Rama takohet me Komisioneren e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos

Bruksel/ Në pritje të nisjes së Samitit, Rama takohet me Komisioneren e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos