TIRANË- Kryeprokurori Olsian Çela i kërkoi Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të nisë hetimet për prokurorin e Pogradecit Shkëlqim Kokona.Pas kësaj Kokona ka reaguar duke bërë një deklaratë për mediat. Ai thotë se ka një karrierë shumë të sukseshme në drejtësi si dhe 40 vite qe i shërben shtetit Shqiptar.

Sipas tij këto akuza kanë shpërthyer me qëllim pasi ka arrestuar muajt e fundit një person i cili bashkëpunon me Përparim Sanxhakun që ka klanin e tij në Pogradec. Po ashtu, ai akuzon edhe anëtarin e KLP, Bujar Sheshi, të cilit nuk i referohet me emër, por e lë të kuptohet nga nofka “Venus”, emër për të cilin është deklaruar se është përdorur nga Sigurimi i Shtetit gjatë diktaturës.

"Jam prej 40 vjetësh që i shërbej shtetit shqiptar dhe jam në vitin e fundit për të dalë në pension pleqërie. Kam një karrierë të suksesshme dhe modeste në Drejtësi. Jam prej 5 vitesh për shkak të dy të sëmurëve mendor ish-presidentit dhe ish-prokurorit të Përgjithshëm, njëri pas strokut dhe tjetri me diagnozë epilepsi ose idiotësi, i syrgjynosur në Pogrdec.

Inkurajoj prokurorin e përgjithshëm në kryerjen e detyrën me ekzigjencë për rastin tim. Me bindje them se materialin e ka firmosur pa e lexuar fare për shkak të ngarkesës që ka. E gjitha është aferë kriminale e Prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme që ka përgatitur materialin dhe Venusit’ të Sigurimit të Shtetit dhe aktualisht anëtari i KLP-së dhe Avokatit ‘mikut tim’ Sanxhakut. Ky person është edhe kreu i krimit të organizuar në Drejtësi. Për 30 vjet ka manipuluar duke nxjerrë nga burgu vrasës dhe kriminele duke bërë rolin e sekserit për të gjithë ish-gjyqtarë e lartë dhe për prokurorët e përjashtuar nga Vettingu.

I bëj thirrje shefit të SPAKU- të tërheqë si bashkëpunëtor të Drejtësisë z.Sanxhakun që të zbardhe të vërtetën e krimit të organizuar në Drejtësi dhe të realizojë premtimin që kryeministri i ka dhënë popullit për prangosjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve të implikuar në korrupsion.

Pogradeci është lagje e Tiranës dhe Sanaxhaku ka klanin e tij me të cilin kontrollon gjithçka dhe vendos për gjithëçka. 3 muajt e fundit një ish-klient i tij ka lyer duart me gjak me uniformat e policisë së Shteti Shqiptar është arrestuar nga unë. Kjo është shumë e rëndë për shtetin dhe prandaj po reagoj. I bëj thirrje z.Artur Metanit të veprojë me ekzigjencë dhe ‘mos lërë kusur’ pa më bërë mua", shkruan Kokona. 

Kujtojmë që Çela kërkon çeljen e hetimeve për Kokonën, pasi dyshohet se ka kryer shkelje individuale në ushtrimin e detyrës. Kjo është hera e parë që kryeprokurori i ri kërkon hetim për një vartës të tij.