TIRANE - Olta Sinanaj është nusja e pronarit të Argjendarisë “Olvi” në rrugën e Dibrës ose e njohur si zona e Selvisë e cila pak pas mesditës së 31 tetorit u bë pre e një tentative grabitjeje.  Në një intervistë për emisionin “Urbanika” të Tv A1 Report Olta Sinanaj rrëfen momentet kur së bashku me bashkëshortin iu desh të përballej me 2 grabitësit që mbanin në kokë skafandra dhe njëri prej tyre kërcënonte me pistoletë. E gjithë ngjarja kishte ndodhur në mes të ditës dhe kur rruga ishte plot me njerëz.

“E gjitha ndodhi në pak sekonda në mes të ditës dhe kur rruga ishte plot me njerëz. Im shoq ishte në dyqan dhe unë isha tek dyqani ngjitur. Dy persona me skafandra hynë në dyqan me pistoletë dhe thanë: Grabitje. Ne nuk i pamë në fytyrë se kush ishin. Në dyqan kishim dhe klientë të cilët dolën të trembur. Unë që isha në dyqanin ngjitur i dëgjova, dola nga ai dhe hyra në dyqanin tim. Në atë moment pashë dy persona të gjatë me skafandra që po grabisnin mallin që kishim në dyqan. Im shoq i kishte rënë alarmit të policisë private ku jemi siguruar. Unë hyra në dyqan duke bërtitur dhe kjo mesa duket i trembi grabitësit dhe bëri që ato të humbisnin vëmendjen. Në atë momente im shoq doli nga banaku dhe shtu personin që ishte anash banakut.”- kujton Olta.

Ajo shton se grabitësit e kishin kërcënuar me pistoletë madje me qytën e saj në një moment e kishin goditur këtë të fundit edhe në kokë. “Grabitësi që kishte pistoletën e drejtonte shpesh prej nesh madje në një moment më qëlloi dhe në kokë, por pa ndonjë problem të madh.
Olta Sinanaj tregon dhe momentin si ishin përleshur me grabitësit duke arritur ti merrnin çantën me bizhutë e vjedhura por dhe duke neutralizuar për pak njërin prej grabitësve i cili ishte dhe me pistoletë.
“Të trembuar nga reagimi jonë kanë dalë nga dera. Ne vrapuam pas tyre. Kapëm çantën. Im shoq kapi personin tjetër që kishte pistoletën në dorë dhe e shtriu në tokë duke i mbajtur pistoletën nga frika se mos qëllonte. Jemi përleshur me ta. Unë mora çantën, im shoq u mor me personin tjetër. Më pas I lamë dhe u kthyem në dyqan ku mblodhëm mallin që ata nuk arritën dot ta merrnin.”- thotë Olta.

Një vit më parë Olta humbi të atin, Rrapo Sinanaj në një tentativë të tillë grabitjeje në argjendarinë që ishte pronë e këtij të fundit thotë se dyqane të tilla janë object grabitjeje sidomos në kohë të tilla kur është rritur papunësia dhe jemi në kohë krize.

“Argjendaritë janë të pikasura sepse kemi të bëjmë me mall të shtrenjtë. Kriza, papunësia bëjnë që këto dyqane të jenë shpesh objekt grabitjeje”- thotë ajo duke insistuar të sqarojë se argjendaria nuk është pronë e saj dhe as e të atit por e bashkëshortit.

“Argjendaria nuk është e imja. Nuk punoj këtu është e tim shoqi ka mbi 12 vjet që punon në këtë lloij biznesi” .
E pyetur se cfarë këshille do ti jepte kolegëve që si ajo punojnë apo kanë në pronësi një argjendari, Olta nuk di ta thotë, por uron që policia si e shtetit si ajo private të bashkëpunojë dhe të jetë efektive siç ndodhi me arrestimin e grabitësve të argjendarisë pronë e bashkëshorit të saj.

“Ne të gjithë bashkë jemi në një vorbull të rrezikshëm dhe kemi kokën në torbë. Hajdutë do të ketë gjithmonë. Në shumë vite punë kemi hasur në shumë situate të ndryshme. Uroj vetëm që policia të jetë aq e shpejtë dhe e sukseshme sa me rastin tonë që arrestoi grabitësit. Unë nuk pashë fytyrat e dy personave, unë pashë vetëm dy skafandra, policia arriti t’i arrestonte dhe kështu siç na e zgjidhin ne të jetë dhe kaq eficiente me rastet e tjera.”
Për grabitjen e argjendarisë policia arrestoi po më 31 tetor, Redi Donrollin, 27 vjeç nga Shkodra, I dënuar më parë dhe I arratisur nga burgu dhe Klodian Martinin 28 vjeç nga Dibra.