Yll Limani rikthehet para publikut shqiptar me turneun “Thirrem Sot ose Nesër”, një projekt që ka thyer rekorde shitjesh dhe ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë.
Mes emocionit të koncertit, One Albania ka sjellë një eksperiencë të veçantë për fansat në zonën VIP. Në hapësirën e dedikuar nga kompania, admiruesit e artistit kanë mundësinë të lënë mesazhet e tyre personale për Yll Limanin përmes një telefoni të vendosur në stendë. Qytetarë nga të gjithë moshat janë ndalur pranë këndit të One Albania për të ndarë urimet dhe emocionet e tyre për artistin.
“I shkruajta ‘Ylli, my star’ sepse e kam si inspirim. Ka këngë shumë motivuese. Ndonjëherë kur ndihem pa energji dua vetëm të dëgjoj këngët e tij për t’u gjallëruar”, shprehet një admiruese e artistit.
Dy koncertet e mbajtura në kryeqytet kanë sjellë në skenë disa prej hiteve më të dashura të artistit, por edhe krijimet e tij më të reja muzikore.
“Pres me shumë emocion të dëgjoj këngën ‘Ma shumë se unë’, atë e kam të preferuar", ka treguar një tjetër fanse e re e artistit.
“Të gjithë këngët e tij më pëlqejnë shumë, por sot me zor pres të dëgjoj ‘Larg’, këngë shumë e bukur”, shprehet një tjetër.
Në fund të mbrëmjes çdo këngë, mesazh, emocion dhe duartrokitje kthehet në një kujtim që mbetet edhe pasi dritat e skenës shuhen.









