Open Balkan/ Bogdani: Rama duhet të ishte krah Albin Kurtit dhe jo Vuçiç! Soko: Realizon ëndrrën e Serbisë për të dalë në det! Bushati: Kemi thyer akujt mes vendeve

TIRANË- Nisma Open Balkan ka ‘përplasur’ të ftuarit mbrëmjen e sotme në Report Tv në emisionin ‘Pa Protokoll’ të gazetares Anduela Ndreu. Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Gerti Bogdani deklaroi se kryeministri Edi Rama duhet të ishte krah Albin Kurtit dhe jo në krah të Aleksandër Vuçiç. Sipas tij, nuk duhet të kishim një nismë ku i thuhet Kosovës nëse ke dëshirë eja bashkohu, por vendi unë duhet të ishte rreshtuar pranë saj.

“Është një Open Balkan i pjesshëm. Vizita  e Ramës në Beograd pas 75 vitesh ku thotë që Kosova është realitet, duhet të jemi të qartë që ajo vizitë ka qenë teatër i pastër nga të dy homologët e asaj kohe Rama dhe Vuçiç të dakordësuar më parë sesi do shkonte ajo konferencë për shtyp, sepse nëse veprimet do ishin të barabartë me fjalët që tha Rama, sot nuk do kishim Ramën në Beograd krah për krah Albin Kurtit apo kushdo qoftë kryeministri i Kosovës, nuk do kishim një Open Balkan që i thuhet Kosovës ndaç hajde ndaç mos hajde. Vërtet është thyer akulli me Serbinë, por po fillon ngrica me Kosovën por këto nuk e do asnjë shqiptar. I pari i vendit e bën një gjë të tillë. Një proces i tillë është nis nga Merkel, Procesi i Berlinit, proces i mirëfilltë ekonomik”, tha Bogdani.

Për përfaqësuesin e Nismës Thurjes, Pano Soko, Ballkani i Hapur realizon ëndrrën mijëravjeçare të Serbisë për të dal në det.

“Përveç uzurpimit të tregu, përfitimi i Serbisë është më magjistral, ajo merr akses në një nga ëndrrat e saj të përjetshme që është porti i Durrësit. Ka luftuar për ta marrë me çdo formë, tani e merr me paqe. Unë e shoh ku shkon Serbia, po nuk e shih ku shkojmë ne. Unë  e shoh Open Balkan si një iniciativë të dy liderëve për t’i treguar botës që ne jemi dy çuna të mirë dhe na mbani neve në pushtet se do ketë paqe në Ballkan se po ikëm plas lufta. Ekonomikisht e thash si e shoh, uzurpimi i tregut dhe i aseteve kryesisht”, u shpreh Soko.

Si kundërpërgjigje e këtyre deklaratave, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Ervin Bushati theksoi se qëllimi i Open Balkan është bashkëpunimi ekonomik mes vendeve të rajonit, që më pas mund të shërbejë edhe si një format politik. Bushati shtoi se në kuadër të kësaj nisme janë thyer akujt mes vendeve.

“Ekonomia është politika sot. Pra, jo vetëm diskutimet që po bëhen në rajonin tonë, por po e shikojmë që në të gjithë botën pikëpamjet e ekonomike, bëjnë ekonomi shumë të rëndësishme. Theksi i ekonomisë që vendosi Rama dhe dy liderët tjerë është ekonomike. Në një moment duhet të fillojë diskutimi. E vetmja mënyrë për tu afruar është duke deleguar. Ne kemi parë që janë thyer akujt. Një format ekonomik mund të shërbejë edhe si një format politik. Fqinjët ashtu si kundërshtarët nuk i zgjedh dot, me ata duhet të bësh paqen dhe të bashkëpunosh. Ne duhet të rrisim  peshën tonë specifike si një ofertë. Nëse duan të hyjnë këto vende, duhet të hyjnë duke i sheshuar këto probleme.

Ne jemi shqiptarë dhe ne jemi një komb kjo s’ka diskutim. Askush nuk i shkon në mend që të mendojë se një shqiptar nuk e di që Kosova është Shqipëri dhe as nuk duhet parë askush si ballist e tradhtar apo nuk përfaqëson vlerat e shqiptarëve. E vetmja mënyrë për të diskutuar me Serbinë është diskutimi. Këtë mision ka marrë Edi Rama, ca do bënte që të rrinte mos të takonte as Greqinë as Serbinë. Rama ka thënë në mes të Beogradit që Kosova është realitet dhe duhet të njihet pavarësia dhe e ka thënë në krah të kryeministrit atëherë. E ka thënë në Beograd që Kosova të jetë realitet për serbët”, tha Bushati.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë