Në kuadër të operacionit antidrogë "Restart 14", policia e Korçës ka arrestuar Gjergji Bendo, 26 vjeç, Lentin Sulo, 29-vjeç, Mikel Kurtiqi 19-vjeç, si dhe ka shpallur në kërkim G. D., 35 vjeç, banues në Leskovik dhe K. P., 24 vjeç, banues në Ersekë, pasi dyshohet se do të trafikonin lëndë narkotike në drejtim të Greqisë.
Nga kontrolli i ushtruar në automjetin tip "Benz" me drejtues Gjergji Bendon, u gjetën 2 qese me 8.2 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Nga hetimet e kryera rezulton se bashkëpunëtorë të 26-vjeçarit, në këtë veprimtari kriminale ishin edhe 4 shtetasit e tjerë. Konkretisht shtetasi Lentin Sulo, monitoronte rrugën, për të sinjalizuar 26-vjeçarin, në rast se kishte prezencë të shërbimeve të Policisë, në rrugë.
Ndërsa Mikel Kurtiqi dhe dy të tjerë, dyshohet se do të kryenin transportimin e lëndës narkotike, nga qyteti i Ersekës, në drejtim të fshatit Barmash, Kolonjë e më pas drejt qytetit të Leskovikut.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.