Operacion antidrogë në Krujë, Shkodër, Lezhë dhe Tropojë! Gjatë 72 orëve u asgjësuan mbi 24 mijë rrënjë kanabisi

Rreth 7000 punonjës policie dhe 90 dronë të cilësisë së lartë, janë vënë në “ndjekje” të kanabisit dhe kultivuesve të tyre prej më shumë se 72 orësh. Nga kontrollet janë zbuluar 24 220 rrënjë kanabisi në Krujë, Shkodër, Lezhë dhe Tropojë.

Në qarkun Shkodër, si rezultat i fazës së 13-të të megaoperacionit policor “Alpe të pastra” u asgjësuan në total 15 338 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkive Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Fushë Arrëz. Si autor i dyshuar i njërit prej rasteve të kultivimit, u shpall në kërkim shtetasi P. D., 52 vjeç, banues në Arst, Fierzë, Fushë Arrëz. Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në rastet e tjera të kësaj veprimtarie kriminale.

Në malësinë e Krujës, si rezultat i fazës së 35-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, u asgjësuan 4630 bimë narkotike kanabis që u gjetën të kultivuara në zona të ndryshme.

Në qarkun Lezhë, si rezultat i fazës së 33-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar "Imazhi”, u asgjësuan në total 4000 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në disa fshatra të ndryshme të rretheve Lezhë dhe Kurbin.

Në zona malore të rrethit të Tropojës, si rezultat i fazës së 7-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Bjeshkët e Nemuna”, u asgjësuan 252 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkisë Tropojë. 

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në rastet e kësaj veprimtarie kriminale.  

Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “FOKUSI” po vijon pandërprerë në të gjithë vendin, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri me dronët e Policisë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e GDF-së.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për përmbushjen e objektivit të megaoperacionit “FOKUSI”, si dhe për denoncimin e çdo paligjshmërie tjetër, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurtë për të gjithë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:36
Balla për operacionet antidrogë: Kultivimi i paligjshëm i kanabisit, burim financash për organizatat kriminale

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përgëzuar sukseset e strukturave të Policisë së Shtetit në kuadër të operacioneve antikanabis të zhvilluara në të gjithë vendin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Balla deklaron se lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike vijon çdo ditë.

Sipas Ballës, shqiptarët presin një pastrim të territorit nga kultivimi i paligjshëm i bimëve narkotike.

“Lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike vijon çdo ditë. Shqiptarët presin një pastrim të territorit nga kultivimi i paligjshëm i bimëve narkotike. Kultivimi i paligjshëm i kanabisit ka qenë një burim financash për organizatat kriminale, i cili duhet shuar përfundimisht", shkruan Balla.

Policia e Shtetit ka vijuar me sukses të plotë megaoperacionin kundër kultivimit të bimëve narkotike, në të cilin ku janë angazhuar rreth 7 mijë forca policie dhe dhjetëra dronë me rezolucion të lartë. Gjatë 72 orëve të fundit, janë asgjësuar në total rreth 24 220 bimë kannabis sativa dhe është sekuestruar 29 kg lëndë narkotike kanabis në Pukë. Për këto raste janë shpallur në kërkim dy shtetas dhe është proceduar penalisht 1 kryeplak fshati si dhe vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë.

M.T/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Polic #: 25/08/2023 10:45

    Pse nuk publikohen të dhëna të përgjithshme se sa rrënjë kanabis janë gjetur dhe asgjësuar deri tani në të gjithë vendin, apo kanë frikë se nuk i'a kanë kaluar të korrave të mbara të vitit të kaluar?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë