Një operacion antidrogë është finalizuar me sukses në fshatin Vreshtas të Maliqit, ku është zbuluar një ambient i fshehtë për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike cannabis sativa.

Operacioni u krye nën drejtimin e Prokurorisë së Korçës, e cila përmes një njoftimi bën të ditur se ambienti për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike u zbulua poshtë një koteci pulash.

Po ashtu bëhet e ditur se në pranga gjatë këtij operacioni ra Klisman Leka, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 5.4 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa në forma të ndryshme (në proces tharjeje dhe e paketuar në doza të vogla), një sasi e vogël e dyshuar lëndë narkotike kokainë, pajisje të ndryshme për kultivimin dhe përpunimin e lëndës narkotike (vazo, llampa ndriçimi, sistem ventilimi, peshore elektronike), si dhe një armë në formën e pistoletës me bombol gazi të kompresuar.

Ndërkohë Prokuroria vijon hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Njoftimi i Prokurorisë së Korçës:

Kultivonin dhe përpunonin lëndë narkotike në Maliq të fshehur pas një koteci shpendësh, hetimet proaktive të Prokurorisë Korçë çojnë në arrestimin e një shtetasi, një tjetër në kërkim

Hetimet proaktive të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës sē Parë të Juridiksionit të Përgjithshëk Korçë, çuan në arrestimin e shtetasit K.L., i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, ndërsa është shpallur në kërkim një person tjetër i dyshuar për disa vepra penale

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, në kuadër të hetimeve të zhvilluara me përdorimin e metodave proaktive hetimore, drejtoi dhe koordinoi veprimet procedurale që çuan në goditjen e një rasti të kultivimit dhe përpunimit të lëndëve narkotike në fshatin Vreshtas, Bashkia Maliq.

Në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, gjatë kontrolleve të ushtruara u zbulua një ambient i fshehtë i ndërtuar nën një kotec shpendësh, i maskuar dhe i përshtatur posaçërisht për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike cannabis sativa. Hyrja në këtë ambient realizohej përmes një hapësire të improvizuar, e cila të çonte në një dhomë të ndërtuar nën tokë.

Nga këqyrja e këtij ambienti rezultoi se ai ishte organizuar në mënyrë profesionale, me mure të veshura me materiale termoizoluese, të përshtatura për ruajtjen e temperaturës dhe lagështirës. Ambienti ishte i pajisur me sisteme të ndryshme ventilimi, ndriçimi dhe ngrohjeje, përfshirë llampa elektrike të posaçme, pajisje për rregullimin e temperaturës dhe lagështirës, si dhe tubacione për qarkullimin e ajrit. Po ashtu ishte instaluar edhe një sistem furnizimi me ujë dhe një sistem i organizuar për ujitjen e bimëve.

Në këtë hapësirë u konstatuan zona të veçanta të përshtatura për tharjen e bimëve, ku bimë të të dyshuara cannabis sativa ishin të varura në struktura të improvizuara. Në dysheme janë gjetur dhjetëra vazo të mbushura me dhe, me mbetje kërcelli të bimëve të prera, si dhe materiale dhe pajisje ndihmëse për kultivimin dhe përpunimin e lëndës narkotike.

Nga veprimet hetimore u sekuestruan rreth 5.4 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa në forma të ndryshme (ë proces tharjeje dhe e paketuar në doza të vogla), një sasi e vogël e dyshuar lëndë narkotike kokainë, pajisje të ndryshme për kultivimin dhe përpunimin e lëndës narkotike (vazo, llampa ndriçimi, sistem ventilimi, peshore elektronike), si dhe një armë në formën e pistoletës me bombol gazi të kompresuar.

Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se ambienti furnizohej me energji elektrike në mënyrë të paligjshme, përmes lidhjes direkte me rrjetin e shpërndarjes.

Prokuroria vijon hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

-------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë