Forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara kanë kryer një tjetër operacion vdekjeprurës në Paqësorin Lindor, si pjesë e fushatës kundër trafikimit të drogës.
Sipas Komandës Jugore të SHBA-së, një njësi e Task Forcës së Përbashkët Southern Spear ndërmori një “sulm preciz vdekjeprurës” ndaj një anijeje të dyshuar se vepronte për llogari të organizatave të klasifikuara si terroriste.
Nga operacioni u raportua vdekja e tre personave, ndërsa nuk pati viktima nga pala amerikane.
“Më 23 shkurt, me udhëzimin e komandantit të SOUTHCOM, gjeneralit Francis L. Donovan, Task Forca e Përbashkët Southern Spear kreu një sulm kinetik vdekjeprurës ndaj një anijeje të operuar nga Organizata të Caktuara Terroriste. Inteligjenca konfirmoi se anija po kalonte tranzit përgjatë rrugëve të njohura të trafikut të drogës në Karaibe dhe ishte e angazhuar në operacione të trafikimit të drogës. Tre narko-terroristë u vranë gjatë këtij aksioni. Asnjë forcë ushtarake amerikane nuk u lëndua”, thuhet në njoftim.
Forcat amerikane kanë shënjestruar anijet që dyshojnë se kontrabandojnë drogë përmes Karaibeve dhe Paqësorit lindor që nga shtatori 2025. Administrata Trump i ka justifikuar operacionet si pjesë të një konflikti të armatosur jo-ndërkombëtar që synon të ndalojë rrjedhën e drogës nga Amerika Latine në SHBA.
Komente









