Marrëveshja tregtare mes BE-së dhe SHBA-së është futur në ngrirje. Parlamenti Europian vendosi të shtyjë votimin për zbatimin e saj pasi presidenti Donald Trump njoftoi tarifa të reja globale prej 15 për qind, duke hapur një përplasje të re përtej Atlantikut.

Kriza u ndez të premten, kur Gjykata e Lartë e SHBA rrëzoi tarifat kryesore mbi të cilat ishte ndërtuar marrëveshja e arritur korrikun e kaluar në resortin Turnberry të Skocisë, pronë e presidentit. Vetëm një ditë më pas, president Donald Trump tha se do të vendosë një tarifë të përgjithshme 15 % duke përdorur një tjetër bazë ligjore, Seksionin 122 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974. Këto tarifa pritet të hyjnë në fuqi të martën.

Në Bruksel kjo u lexua si alarm serioz. Sipas vlerësimit të BE-së, tarifat e reja do të shtohen mbi normat ekzistuese për mallrat, duke e çuar ngarkesën mbi 15 %. Kjo, për palën europiane, bie ndesh me marrëveshjen e Turnberry-t dhe me deklaratën e përbashkët që vendoste një tavan “gjithëpërfshirës” prej maksimumi 15 %  për shumicën e produkteve.

Komisioni për Tregtinë Ndërkombëtare në Parlamentin Europian kishte planifikuar të martën votimin për legjislacionin që hapte rrugën për zbatimin e marrëveshjes, pas një kompromisi të vështirë të arritur më herët këtë muaj. Por eurodeputetët shtypën frenën e emergjencës.

“Vendimi për ta shtyrë votimin është i duhuri. Me këtë pasiguri të madhe, një votim do të ishte i pajustifikueshëm”, tha Anna Cavazzini nga të Gjelbrit.

Edhe Željana Zovko nga Partia Popullore Europiane konfirmoi shtyrjen, por kërkoi që votimi përfundimtar të mbahet në mars. “Duhet të veprojmë si ekip dhe të kemi një zë. Pranova shtyrjen, por jo pa kushte dhe jo pafundësisht. Duhet të votojmë në mars dhe të respektojmë pjesën tonë të marrëveshjes”, tha ajo.

Marrëveshja e Turnberry-t kishte parashikuar që shumica e mallrave të përballeshin me tarifa jo më shumë se 15 %. Në paketën që po përgatitej në Parlament ishin futur edhe dy garanci: një rishikim pas gjashtë muajsh për të parë nëse tarifat mbi produktet që përmbajnë çelik ulen në nivelin bazë, si dhe një klauzolë që do ta anulonte marrëveshjen nëse president Donald Trump do të kërcënonte sërish integritetin territorial të BE-së, siç ndodhi në janar kur hodhi idenë e aneksimit të Groenlandës.

Ndërkohë, president Donald Trump e ashpërsoi tonin në rrjetet sociale. Ai paralajmëroi se çdo vend që “luan lojëra” me vendimin e Gjykatës së Lartë, sidomos ata që sipas tij “kanë përfituar nga SHBA për vite e dekada”, do të përballet me tarifa edhe më të larta se ato të rëna dakord më parë. 

Nga ana tjetër, eurodeputetja Cavazzini theksoi se prioriteti duhet të jetë gjetja e një zgjidhjeje për 50 % tarifat e mbetura mbi çelikun, aluminin dhe derivatet e tyre. Sipas saj, tarifat janë shumë jopopullore dhe nuk kanë sjellë vendet e punës industriale që president Donald Trump kishte premtuar.

Kryetari i Komisionit të Tregtisë në Parlament, Bernd Lange, e përmblodhi situatën me një fjali: “Qasja biznes si zakonisht nuk është opsion.” Raportuesit kryesorë do të mblidhen sërish javën e ardhshme për të parë si do të ecë situata.

Pa një qëndrim të miratuar nga Parlamenti, nuk mund të hapen negociatat me Komisionin Europian dhe Këshillin, që përfaqëson 27 vendet anëtare, për ta çuar përpara zbatimin e pjesës së BE-së. Kjo do të thotë kryesisht heqje tarifash për mallrat industriale amerikane.

Komisioneri europian për Tregtinë, Maroš Šefčovič, mori pjesë në një telefonatë me ministrat e tregtisë të G7 dhe theksoi se respektimi i plotë i marrëveshjes BE–SHBA është thelbësor. Ai pritej gjithashtu të informonte ambasadorët e vendeve anëtare dhe eurodeputetët për zhvillimet.

Për momentin, marrëdhënia tregtare mes dy anëve të Atlantikut është në ajër. Dhe mesazhi nga Brukseli është i qartë: pa qartësi dhe pa respektim të marrëveshjes, nuk ka votë.

Çfarë është marrëveshja Turnberry?

Marrëveshja “Turnberry” mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, e arritur në korrik 2025, nuk është një marrëveshje klasike tregtie të lirë. Ajo konsiderohet më shumë si një kornizë politike për të frenuar përshkallëzimin e tarifave doganore dhe për të stabilizuar marrëdhëniet tregtare mes dy partnerëve.

Në thelb, marrëveshja vendos një tavan orientues prej rreth 15% për shumicën e mallrave industriale dhe bujqësore, si dhe ngrin përkohësisht disa masa hakmarrëse ekzistuese. Qëllimi kryesor është të rikthehet një minimum parashikueshmërie për bizneset, pa imponuar harmonizim të detyrueshëm rregullator apo mekanizma të fortë ligjorë zbatimi.

Megjithatë, disa sektorë kyç, si çeliku dhe alumini, mbeten pjesërisht jashtë kësaj kornize, pasi SHBA i lidh ato me arsye të sigurisë kombëtare. Edhe fusha të tjera të ndjeshme, si disa produkte bujqësore apo shërbimet digjitale, trajtohen në mënyrë të veçantë. Kjo e bën marrëveshjen të kufizuar në shtrirje dhe të varur nga zhvillimet politike.

Në planin ekonomik, marrëveshja ka ulur pasigurinë për kompanitë dhe ka stabilizuar përkohësisht kostot e import-eksportit. Por tarifat ekzistuese, sidomos mbi metalet si alumini, vazhdojnë të ndikojnë në zinxhirët e furnizimit dhe, në mënyrë graduale, në çmimet për konsumatorët.

Zhvillimet e fundit euroatlantike kanë treguar se stabiliteti i kësaj marrëveshjeje mbetet i brishtë. Kërcënimet për tarifa të reja në këto kohë tensionesh politike të lënë të kuptosh se tarifat doganore  po përdoren gjithnjë e më shumë si instrument presioni. Rrjedhimisht “Turnberry” nuk e zgjidh përfundimisht përplasjen tregtare mes BE-së dhe SHBA-së, por po e mban atë nën kontroll, duke lënë hapësirë për tensione të reja nëse klima politike përkeqësohet.