Seksioni për narkotrafikun po kryen operacione masive në Tiranë për luftën ndaj drogës, ku janë sekuestruar 3 kilogramë hashash dhe 30 gramë kokainë si dhe janë arrestuar 3 persona.
Gazetari i Report TV Arsen Rusta raporton se kontrollet janë përqëndruar kryesisht në shitjen e drogës në shkolla lagje e rrugica. Gjatë operacionit janë sekuestruar 3 kg hashash dhe 30 gramë kokainë, ndërsa në pranga kanë rënë 3 persona, dy vëllezer dhe një tjetër.
Vëllezërit e arrestuar janë Desjan e Daniel. M si dhe shtetasi A.Kamberi. A. Kamberi është kapur me hashash kurse vëllezërit me kokainë, siç shihet nga fotot e siguruara në Report TV.
Njoftimi i policisë:
Goditen dy raste të veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Sekuestrohen rreth 3 kg lëndë narkotike kanabis, doza me lëndë narkotike kokainë, një shumë e konsiderueshme parash dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Vihen në pranga poseduesit dhe shpërndarësit e lëndës narkotike. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes të lëndëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë goditur 2 raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në vende të ndryshme, duke arrestuar në flagrancë 3 shtetas, konkretisht:
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasit:
•A. K., 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 3 kg lëndë narkotike kanabis, doza me lëndë narkotike kokainë, një shumë të konsiderueshme parash dhe 2 aparate celular.
•D. M., 26 vjeç dhe D. M., 18 vjeç (vëllezër), pasi gjatë kontrollit në lokalin e marrë me qira nga shtetasi D. M., 26 vjeç, ku ishte punonjës vëllai i tij, shtetasi D. M., 18 vjeç, janë gjetur dhe sekuestruar doza me lëndë narkotike kokainë dhe 1 peshore elektronike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.