Në pak më shumë se 24 orë nga mbyllja e merkatos së janarit Milan vijon me spastrimet e skuadrës. Një ditë pas largimit të Suso-s te Sevillia në formë huazimi me të drejtë blerje për 20 mln euro janë konfirmuar edhe dy ikje të tjera.
Në mbrëmjen e së mërkurës vonë Piatek ka lënë aeroportin e Milanos me destinacion Gjermaninë, pasi futbollisti do të nënshkruajë me Hertha Berlin-in. Klubi kryeqyetas i Gjermanisë ka rënë dakord të pagujë 27 mln euro për polakun, të cilin Milan një vit më parë e mori nga Genoa për 34 mln euro.
Kjo marrëveshje ka rezultuar me fitim edhe për futbollistin polak. 24-vjeçari në Bundesligë do të fitojë një pagë neto prej 4 mln eurosh, dyfishi i asaj që merrte në Milano me Milanin.
Sakaq nga ‘djalli’ është larguar edhe mbrojtësi i krahut të djathtë Rodriguez. Zvicerani ka udhëtuar drejt Holandës aty ku pas vizitave mjekësore do të nënshkruajë kontratën me PSV-në. Rodriguez është larguar me formulën e huazimit për 1 mln euro, ndërsa holandezët do të kenë mundësinë për ta blerë përfundimisht për 6 mln euro.