Avokati Plarent Ndreca tha se mbrojtja do t’i kërkojë Drejtorisë së Burgjeve të marrë një vendim për operacionin e Erion Veliajt, pasi gjykata ia la asaj vendimmarrjen. Sipas Ndrecës, familja është e gatshme që ndërhyrja të kryhet edhe në spitalin Memorial, nëse mjeku që ka zgjedhur mund ta operojë atje. Pas përfundimit të gjyqit, Ndreca theksoi se kërkojnë që Veliaj të operohet vetëm nga mjeku që ka zgjedhur familja. 

“Gjykata tha se duhet të merret një vendim nga Burgjet, të cilin më pas mund ta ankimojmë. Do t’u kërkojmë të shprehen me vendim. Urojmë të mos jetë sekret shtetëror dhe, nëse kemi mundësi ta ankimojmë, do ta ankimojmë. Unë thashë se nuk kemi problem me strukturën spitalore. Ne duam që të ndiqet nga mjeku i zgjedhur nga familja. Nëse doktori na thotë se mund të bëhet atje, e bëjmë edhe te Memoriali, por teknikisht është e pamundur. Ai ushtron profesionin ose te Trauma, ose në një spital privat. Sipas gjykatës, zgjidhjen duhet ta japë Drejtoria e Burgjeve. Mund të shkaktojë pasoja. Për këtë arsye, kemi kërkuar të ndërhyhet menjëherë. Jemi në këto kushte për shkak të vendimmarrjes së Burgjeve”, tha Ndreca.


Lajmi kryesor:

Kërkoi të operohej në Tiranë, GJKKO nuk shqyrton kërkesën e Veliajt: Nuk na takon ne, kompetencë e Burgjeve! I rrëzohet kërkesa për shtyrjen e seancës