Pesë persona janë arrestuar në flagrancë nga operacioni i zhvilluar dje nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës në bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe austriake. Në total Prokuroria lëshoi 7 masa ‘arrest me burg’ 5 prej tyre të ekzekutuara, ndërkohë në kërkim janë shpallur në kërkim: Xhoni Hitaj dhe Marsel Lami. Gjithashtu policia ka shpallur në kërkim dhe një tjetër person, i cili është gjetur në zyrat e Call Center.

Nga operacioni policia sekuestroi: 443 kompjuterë; 238 telefona celularë; 6 laptopë; pajisje të tjera si HDD, DVR etj., dhe vlera të konsiderueshme monetare, në total 891,735 euro

Njoftimi i Policisë së Shtetit

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europolit, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Ghost Call”, në kuadër të goditjes së veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Ky operacion është rezultat i një hetimi të thelluar nga strukturat e hetimit të krimit kibernetik, i cili ka zgjatur rreth 2 vite. Hetimi nisi me iniciativën e strukturave të krimit kibernetik, pas një kërkese për informacion të ardhur nga autoritetet austriake, duke çuar në zbulimin dhe dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Gjykata e Tiranës vendosi lejimin e kontrollit të ambienteve ku ushtronin aktivitetin subjektet, si dhe kontrollin e banesave të 9 shtetasve të dyshuar.

Gjatë ndërhyrjes në ambientet e këtyre subjekteve, u konstatuan operatorë të ndryshëm duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm, çka mundësoi dokumentimin e menjëhershëm të veprimtarisë kriminale.

Në vijim të veprimeve procedurale, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, u caktuan masat e sigurimit si më poshtë:

* “Arrest me burg” për 7 shtetas, konkretisht për shtetasit E.D. I datëlindjes 24.10.1978; M.H. i datëlindjes 14.07.2002; T.A. i datëlindjes 19.06.2003; L.T. i datëlindjes 28.08.1993 dhe Xh.M. i datëlindjes 05.12.1997, për të cilët u bë ekzekutimi i masave të arrestit. Ndërsa për shtetasit Xh. H. i datëlindjes 10.06.1995 dhe M.L. i datëlindjes 04.12.1997, u bë shpallja në kërkim.

* “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” për 2 shtetas, ku masa u ekzekutua për shtetasen A.V., datëlindja 29.12.1993.

Po ashtu, gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë, në kushtet e ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm, shtetasit:

* K.B. i datëlindjes 06.04.1988;

* E.H. i datëlindjes 17.11.2000;

* B.B. i datëlindjes 02.10.2001;

* K.D. i datëlindjes 15.12.2001;

* E.T. i datëlindjes 04.08.1994.

Si dhe u bë shpallja në kërkim edhe për shtetasin D.J., i datëlindjes 02.08.2002.

Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas u identifikuan si individë me peshë në strukturën e aktivitetit kriminal, në rolin e drejtuesve të ekipeve.

Ekzekutimi i vendimeve u realizua nga oficerët e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, si dhe në koordinim të plotë me hetues nga autoritetet austriake dhe ekspertë të Europolit, të cilët ishin pjesëmarrës gjatë operacionit.

Gjatë ushtrimit të kontrolleve, u gjetën dhe u sekuestruan vlera të konsiderueshme monetare, në total 891,735 euro, si dhe një numër i madh pajisjesh elektronike, konkretisht:

* 443 kompjuterë;

* 238 telefona celularë;

* 6 laptopë;

si dhe pajisje të tjera si HDD, DVR etj., që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e aktivitetit kriminal.

Materialet e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në luftën kundër krimit kibernetik.


Lajmi kryesor:

Zhvatën 50 mln € nga evropianët, goditen 3 Call Center-a në Tiranë! 10 në pranga, 4 në kërkim! Paratë i kthenin në kripto (EMRAT+VIDEO)