Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Cannon, falenderoi sot qeverinë shqiptare për kontributin e dhënë në operacionin e përbashkët në ndihmë të qeverisë së Irakut, duke e konsideruar një shembull të shkëlqyer të solidaritetit të NATO-s.

Deklarata e diplomatit britanik u bë sot pasdite në Komandën e Forcave Ajrore në Rinas, ku u zhvillua ceremonia e hapjes së stërvitjes së përbashkët shqiptaro-britanike "Albanian Lion".
Në përshëndetjen e tij, komandanti i Forcës Tokësore, gjen/major Zyber Dushku, e vlerësoi stërvitjen si shumë të rëndësishme për shkëmbimin e eksperiencës së përbashkët mes dy palëve, ndërsa garantoi se ushtria shqiptare do të vërë në dispozicion të gjithë infrastrukturën e nevojshme për realizimin e saj.Në fjalën e tij ambasadori Cannon tha se stërvitja shqiptaro-britanike, që është e katërta mes tyre, mundëson njësitë e forcave ajrore, detare dhe tokësore të praktikojnë skenarë të ndryshëm, duke mësuar nga përvoja e njëri-tjetrit". Ai shprehu mirënjohje për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura shqiptare që mundësuan përdorimin e objekteve të tyre trajnuese për ushtarët dhe marinarët.

Kryediplomati britanik duke folur për zhvillimet e fundit të sigurisë në botë, gjeti rastin të falenderojë qeverinë shqiptare për kontributin e dhënë në operacionin e përbashkët në ndihmë të qeverisë së Irakut. Për ambasadorin ky është një shembull i shkëlqyer i solidaritetit të NATO-s.

Stërvitja "Albanian Lion '14" do të fokusohet në kryerjen e operacioneve të evakuimit të civilëve, "Non-Combatant Evacuation Operations", nëpërmjet operacioneve detare, tokësore dhe ajrore.
Në këtë stërvitje do të marrin pjesë rreth 600 trupa, të cilët do të kryejnë demonstrime ushtarake në Bizë, në Zall-Herr, në Kepin e Palit, në Kuçovë, Pashaliman dhe Porto Palermo. Trupat do të mbështeten nga deti me katër anije ushtarake./ATSH/