TIRANË- Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri bëri të ditur se operacioni i ndërmarrë për prerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë ka qenë i suksesshëm.
Gjatë inspektimit të operacionit të OSHEE-së në terren, Gjiknuri tha se nuk do të ketë amnisti për ata që nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike por, sqaroi se po shikohen skema për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve, të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë siç mund të jetë pagesa me këste.
"Koorporata po zgjedh skemat e saj. E thashë, shumë shpejt këto do të jenë publike në zyrat e konsumatorit. E rëndësishme është që po mendojmë edhe për t'ju ardhur në ndihmë atyre njerëzve që kanë akumuluar debi", deklaroi Gjiknuri.
Duke u ndalur në shifra, ministri Gjiknuri sqaroi se humbjet në fund të muajit tetor ranë në 34 %, ndërsa u rritën me 11 % faturimet dhe me 50 % arkëtimet.
"Humbjet po reduktohen në mënyrë masive, në tetor të këtij viti ato u ulën në 34%. Do të thotë një reduktim radikal të humbjeve dhe shpresojmë të mbajmë të njëjtin trend për ta sjellë sektorin në parametrat e duhura. Arkëtimet janë rritur në një nivel 50%, janë formalizuar shumë kontrata. Ka shumë debitorë të cilët kanë bërë marrëveshje për shlyerje me këste. Të gjithë këto elementë janë pozitivë, por mbi të gjitha janë dy faktorë të dukshëm, të rëndësishëm; kemi një ulje të kërkesës për konsum 15%, çka do të thotë që njerëzit kanë filluar të tregohen më të kujdesshëm, si dhe një rritje të faturimit mbi 11% mesatare", u shpreh ministri.
Ministri bëri të ditur se ky operacion do të vazhdojë dhe se nuk është thjesht një aksion i rastit, por do të jetë një qasje e vazhdueshme që do të ketë shteti ndaj të gjithë debitorëve të energjisë dhe ndaj të gjithë hajdutëve të saj.
"E kemi thënë që kjo reformë është jashtëzakonisht e nevojshme, këto masa janë jashtëzakonisht të nevojshme. Në qoftë se do të duam që në të ardhmen të kemi çmime të qëndrueshme të energjisë elektrike, kyçi i suksesit është stabiliteti financiar i sektorit. Do të thotë që të gjithë njerëzit duhet të paguajnë, mos të krijojnë më debi, që sektori të ecë me këmbët e veta. Qeveria për këtë po punon dhe realisht jemi në një rrugë të mbarë, kemi shumë raste konstatimesh të paligjshmërisë, kemi procedime penale dhe ka një ndërgjegjësim të publikut. Disa të dhëna që ju interesojnë edhe njerëzve, shohim një fillim të formalizimit të sektorit, ka mbi 5 mijë kërkesa për kontrata të reja", tha ai. Ai informoi po ashtu se koorporata ka blerë edhe pajisjet matëse për të filluar instalimin tek njerëzit që u mungojnë ato. Sipas ministrit Gjiknuri, këtë vit janë grumbulluar mbi 70 milionë dollarë më shumë sesa vitin e kaluar." Mjafton ky fakt për të kuptuar se çfarë hapi është bërë përpara për stabilitetin financiar të kompanisë", deklaroi Gjiknuri./ATSH/