Në Vlorë është goditur një grup i cili akuzohet se ka kryer disa vjedhje. Është prangosur një 27-vjeçar dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori.
Policia e Vlorës njofton ka finalizuar operacionin policor të koduar "Përsëritësit", si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Kristi Lushnjani, 27 vjeç, banues në Vlorë, ndaj të cilit u bë gjithashtu dhe ekzekutimi i urdhrit të Prokurorit, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, e ka dënuar me 8 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja”.
Edvin Çuni, 35 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, banues në Vlorë, është shpallur në kërkim.
"Nga hetimet e kryera dhe provat e siguruara ka rezultuar se ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin E. Ç, janë autorët e dyshuar të 5 vjedhjeve të ndodhura më parë, në qytetin e Vlorës, konkretisht vjedhjes së një automjetit tip "Volkswagen" në pronësi të shtetasit M. Dh, vjedhjes së disa sendeve personale dhe një shume parash në automjetin e shtetasit A. K, veglave pune në automjetin e shtetasit K, Q, sendeve personale dhe një shume parash në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia” si dhe vjedhjes së disa sendeve personale dhe një shumë parash në automjetin e shtetasit E. M", thuhet në njoftimin e policisë.