TIRANË- Për herë të parë, pas 4 ditësh, Policia e Shtetit zbuloi se emri i operacionit të SPAK, ku u firmosën 50 urdhër-arreste për bosë të krimit brenda dhe jashtë vendit ku u goditën 7 grupe kriminale dhe u zbardhën disa ngjarje të rëndë të viteve të fundit, është i koduar “Revanshi”.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat, blutë thonë se nga verifikimet e kryera përmes sistemit TIMS, 13 prej personave me urdhër arresti ishin larguar nga Shqipëria para zhvillimit të operacionit, ndërsa 6 të tjerë që ishin të shpallur në kërkim për llogari të veprave të tjera penale ishin jashtë shtetit.

Sipas Policisë së Shtetit, 11 prej emrave që pati urdhër-arresti me vendim të GJKKO dhe kërkesë të SPAK, mes tyre 2 punonjësit e policisë, ish-drejtori i Policisë Lezhë, Henerigert Mitri dhe polici Klodian Shahini, iu shmangën organeve të drejtësisë dhe nuk u bë i mundur arrestimi gjatë zhvillimit të operacionit.

Për 6 të tjerë nuk ishte e nevojshme të organizohej mobilizim forcash pasi kanë qenë në qeli dhe ekzekutimi i urdhër arresteve për ta u bë nëpër burgjet ku ishin të akomoduar. Në ditën e operacionit u kapën vetëm 14 persona, 8 prej të cilëve nga të gjitha forcat e policisë të angazhuara për ekzekutimin e vendimit të GJKKO dhe 6 të tjerë nga partnerët ndërkombëtar, në Itali, Spanjë, Belgjikë dhe Gjermani.

Praktikisht, Policia e Shtetit, brenda vendit rezulton të ketë pasur 19 persona, dhe vetëm 8 prej tyre mundi t’i kapë. Sipas bluve, deri tani nuk ka asnjë indicie se operacioni “Revanshi” është dekonspiruar, edhe pse 2 policët Henerigert Mitri dhe polici Klodian Shahini nuk u gjetën, të kërkuar nga SPAK për lejimin e mbushjes me kanabis të qarkut të Lezhës, kur punonin dhe drejtonin atje.

"Theksojmë faktin se asnjë strukturë e Policisë së Shtetit në nivel qendror apo vendor nuk është përjashtuar nga pjesëmarrja në operacionin “Revanshi” dhe deri tani nuk ka asnjë indicie për dekonspirim të operacionit.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bashkëpunim shumë të mirë, të bazuar në ligj dhe në besueshmëri të plotë me SPAK-un, me GJKKO-në dhe me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm", njofton Policia. 

Përmes zbardhjes së komunikimeve në aplikacionet “SkyECC”, SPAK mundi të zbardh ngjarje që kishin mbetur të pazbardhura ndërsa gjatë kontrolleve në vilat e bosëve të krimit u gjetën rreth 3 milionë euro cash, flori e pasuri të tjera, në total 4.5 mln euro.

Prokuroria e Posaçme goditi grupin kriminal të Ervis Martinajt, i cili në aleancë me grupin e ish-deputetit, Arben Ndoka, dhe bashkëpunëtor me grupin kriminal të Avdylajt në Durrës, rekrutonin vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Gjithashtu kontaktuan Emiljano Shullazhin për realizimin e vrasjes se Durim Bamit.