Opingat e të pushkatuarit

Opingat e të pushkatuarit

Foto ilustruese nga pushkatimet e 1945

Këtë ndodhi ma ka treguar një mik i moshuar, gati dy dekada më parë:

‘Një ditë të vitit ‘45, rastësisht mora vesh vendin ku, në mbrëmje do bëheshin pushkatime. Adoleshent kurioz, vajta herët dhe u fsheha në një shqopishte.

Erdhën kur po binte muzgu. Ishin tre të dënuar dhe pesë vetë të armatosur.

Më ka mbetur në mend njëri. Plak në të 60-at, kishte veshur një palë opinga të reja. Sa i zgjidhën duart, i zbathi dhe ia zgjati njërit prej ekzekutorëve, djalë i ri e trupmadh: Merri, i tha, gjynah të kalben.’

Miku që më tregonte këtë ndodhi ishte mjek, profesor mjaft i njohur. S’do mend që kishte qenë i pranishëm në dhjetra pragvdekje. Por duket se përshtypja, që i kishte bërë kjo, ishte krejt e veçantë.

Parë hollë, historia e plakut, që i fali opingat ekzekutorit, nuk është histori për vdekjen, por për shpirtin. S’thonë kot: rrëfenja zë fill atje ku shfaqet shpirti, metafizika e qenies.

Për çfarë shpirti flet, do prishte buzët ciniku, materializëm ekstrem thuaj. Varfëria të shtyn të fetishizosh sendet. Të mungojnë, rropatesh që t’i kesh, ndaj dhe i shenjtëron. Si plaku opingat.

Mos ji kaq i sigurt, do ia priste tjetri, plaku mund të ketë qenë besimtar. Donte të bënte edhe një sevap, të fundit, para se të ikte te Mëshirëploti.

Unë e shoh ndryshe, do thoshte i treti. Plaku pa këpucët e grisura të partizanit të ri, iu kujtua i biri, rritur me të keq. Dhe e mishëroi tek ai që kishte përballë, mes dhimbjes këlthitëse se s’do ta shihte më dhe mes keqardhjes që nuk e kishte përkëdhelur sa duhej.

Për mua, do thoshte i katërti, plaku e ndjente që s’i duheshin më; në qiell nuk shkohet me opinga, po me flatrat e shpirtit. I katërti do e thoshte këtë, jo se kështu mendonte, por thjesht për të shtuar një nënqeshje në këtë atmosferë të muzgët.

Interpretimet mund të jenë të shumta, ca më pranë të vërtetës, ca më larg. Por një gjë mbetet: Njeriu është univers ndjenjash e arsyesh. Vështirë se mund t’i njohim të gjitha. Në këto rrethana, a kemi të drejtë ta vrasim, çfarëdo që të ketë bërë?

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tej: 12/03/2021 19:03

    Po a falet krimineli Berishe?

    Përgjigju
    • Bureto: 13/03/2021 19:02

      Or tej, se paske kuptuar shkrimin. Eshte kunder marrhes se jetes, si në rastin e historusë se treguar për kohën e komunuzmit. Thellohu ca më shumë, që të kuptosh!

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur